Përballjet e fundit të Juventusit dhe Interit pas Derby d’Italia që zhvillohet më 13 maj
Si masë parandaluese për përhapjen më të madhe të coronavirusit, në Itali është marrë vendim që të shtyhet Derby d’Italia ndërmjet Juventusit dhe Interit.
Dy rivalët e mëdhenj të kampionatit italian duhej të përballeshin të dielën mbrëma në Torino, mirëpo rreziku nga përhapja e virusit që ka shkaktuar mijëra të vdekur në gjithë botën (kryesisht në Kinë), i ka detyruar autoritetet italiane që t’i shtyjnë disa ndeshje.
Dhe data për zhvillimin e këtyre ndeshjeve, në mesin e tyre edhe derbit, është caktuar 13 maji (e mërkurë). Pas kësaj date do të mbesin edhe dy xhiro për t’u zhvilluar.
Java e 37-të e Serie A do të zhvillohet më 17 maj, kur Zonja e Vjetër do të luajë si mysafir i Cagliarit, ndërsa Nerazzurrët do ta presin në shtëpi Napoli.
Në javën e 38-të dhe të fundit që zhvillohet më 24 maj, Bianconerët janë nikoqirë të Romës, kurse zikaltrit udhëtojnë te Atalanta.
Nëse diferenca e pikëve do të jetë e ngushtë, atëherë Derby d’Italia do të jetë si një finale për titull. Por, nuk duhet harruar Lazion që në rast fitoreje ndaj Bolognas do ta marrë kreun e tabelës dhe pritet të jetë konkurrent për Scudetto deri në fund të sezonit. /Telegrafi/


