Please enter at least 3 characters.

PDK në Shtime kritikon qeverisjen lokale për abuzim me Kuvendin Komunal

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Shtime nëpërmjet një komunikate për media ka shprehur shqetësime për keqmenaxhimin dhe abuzim me seancat e kuvendit nga ana e ekzekutivit dhe kryesuesit.

“Po abuzohet me votën e dyfishtë nga ana e kryesuesit duke u orkestruar nga Qemajl Aliu, i cili përdor praktika të presionit, për pazare politike. Pushteti refuzoi përfshirjen në rend dite të raportimit të Komisionit për emërtimin e objekteve dhe Institucioneve, si dhe shtyrjen e pikës tjetër për shpalljen me interes të pronës publike, e cila përfshinë kompaninë serbe “Gragjevinar” nga Kraleva e serbisë, ndërsa si shenjë proteste, ne kemi liruar sallën, përderisa seanca u ndërpre për mungesë kuorumi”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas këtij subjekti opozitar, shqetësuese është edhe presioni i ushtruar ndaj një anëtari të Kuvendit për t’u rikthyer në seancë, duke dëshmuar instrumentalizimin e përfaqësuesve të zgjedhur dhe prishjen e integritetit institucional.

“Kjo qeverisje, e bazuar në pazare politike, nuk u shërben interesave të qytetarëve, por synon të ruajë pushtetin me çdo kusht, duke përfshirë biznese të dyshimta nga Serbia që përfitojnë qindra mijëra euro nga pronat publike. PDK në Shtime, dënon këto veprime dhe fton qytetarët e Shtimes të angazhohen për një qeverisje transparente, të ndershme dhe demokratike”, thuhet më tej në Komunikatë.

Në anën tjetër Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga kryesuesi Adnan Ademaj, por nuk ka qenë i qasshëm. /Telegrafi/