Paraburgimi, pas deklaratave të liderëve politikë
Vendimin e ka shpjeguar për Interaktiv, avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi.
“Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim mbi ankesën me të cilën ka ndryshuar masën e arrestit shtëpiak me masën e paraburgimit i cili do të zgjasë deri më 24.06.2013. Nuk ka pasur asnjë arsye që të tejkalohen afatet ligjore prej 48 orëve për nxjerrjen e këtij vendimi skandaloz, të paligjshëm dhe të padrejtë”, ka thënë avokati Tomë Gashi. /Telegrafi/
Në paraburgim shtatë të dyshuarit e “Grupit të Drenicës”
Kanë përfunduar në burg, pa asnjë paralajmërim, shtatë të dyshuarit e “Grupit të Drenicës”, duke përfshirë edhe ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, dhe kryetarin aktual të Skënderajt, Sami Lushtaku.
Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në familja Demaku, dy anëtarë të së cilës janë në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për krime lufte, Jahir dhe Zeqir Demaku.
Ata dy janë arrestuar në shtëpitë e tyre në Drenas sonte në orën 21 e 30 minuta. Fatin e njëjtë e kanë pasur edhe të tjerët.
Vendimin e ka marrë Gjykata e Apelit, por për këtë nuk janë njoftuar avokatët. Avokati i Selimit, Tomë Gashi ka thënë se nuk ka asnjë shkresë zyrtare që tregon se është miratuar kërkesa e prokurorit për paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Të kontaktuar nga Gazeta Express, zyrtarët e EULEX’it ende nuk kanë konfirmuar vendimin e Gjykatës për paraburgosjen e Grupit të Drenicës, e as aksionin për arrestimin e tyre.
Sipas Kosovapressit, që thirret në burime brenda EULEX-it, ata aktualisht po mbahen në stacione policore, në proces për t’u dërguar në paraburgim./Telegrafi/


