Pamje të reja të tensionit pas ndeshjes Kosovë-Qipro: FFK iu del në mbrojtje lojtarëve dhe e quan rastin të mbyllur
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) iu ka dalë në mbrojtje kapitenit Amir Rrahmani dhe lojtarëve të tjerë, pasi pretendohet se pas ndeshjes janë ofenduar dhe sharë nga tifozët në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në një video të publikuar nga RTV Dukagjini shihen disa momente nervozizmi të shprehura nga kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, me kreun e “Dardanëve”, Lulzim Berisha.
E gjithë kjo pasi tifozët donin që lojtarët të afroheshin para porte, gjë që e bën pas disa momentesh.
Udhëheqësi i “Dardanëve” doli edhe me një sqarim publik të mërkurën mbrëma duke kërkuar falje nëse Rrahmani dhe lojtarët e tjerë janë sharë apo ofenduar.Sot, FFK nëpërmjet një njoftimi të lëshuar për media të enjten ka konfirmuar se “është e informuar për rastin” të cilin e ka quajtur aksidental e të momentit, ndërsa ka qëndruar krahë lojtarëve. “Federata e ka përcjellë me shqetësim rastin në fjalë dhe në parim gjithnjë qëndron në anën e futbollistëve të ekipit kombëtar, duke shfaqur mbështetjen dhe duke kërkuar respekt për ta. Konsiderojmë që kërkimfalja që ka ndodhur ndaj kapitenit dhe futbollistëve shënon mbylljen e një rasti aksidental të momentit dhe shpresojmë se do të shërbejë si rast që do të lidhë edhe më fuqishëm ekipin dhe përkrahësit para sfidave të reja të Kombëtares sonë”.


