Please enter at least 3 characters.

Pamje nga vendi i aksidentit të teleferikut në Itali - dëshmitarët rrëfejnë ngjarjen që la të paktën tetë të vdekur

2021/05/page-33.jpg

Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe dy fëmijë janë plagosur rëndë pas një aksidenti tmerri në të cilin një kabinë teleferiku në majë të malit u zhyt në tokë në veri të Italisë.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, teleferiku mendohet të jetë rrëzuar ndërsa merrte pasagjerë në majë të linjës Stresa-Mottarone në rajonin e Piemonte më herët sot.

Linja mbikëqyr liqenin Maggiore - një vend turistik i njohur afër qytetit turistik të Stresit.

Besohet se teleferiku, i cili zgjat rreth 20 minuta për të arritur në stacionin e lartë malor rreth 1500 metra, ishte rreth 300 metra nga destinacioni i tij kur “u zhyt” në tokë.

Shërbimi i shpëtimit Alpin i Italisë tha sot se, së bashku me tetë të vdekurit, tre persona janë dërguar me helikopter në spitalin e Torinos.

Besohet që nga tre të lënduarit, dy janë fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë.

Asnjë detaj i moshës dhe kombësive nuk është publikuar ende nga autoritetet në Itali, megjithëse të dy fëmijët e plagosur besohet të jenë më të rinj se 10 vjeç.

Ministri i transportit i Italisë, Enrico Giovannini e përshkroi incidentin si një "tragjedi të tmerrshme".

Aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një kabllo e prishur në majë të sistemit, sipas agjencisë së lajmeve ANSA dhe besohet se 11 njerëz ishin në teleferik në atë kohë.

Ekipet e zjarrfikësve, helikopterët, policia dhe ekipet e shpëtimit malor thuhet se janë në vend këtë pasdite.

Dhe një person i cili e pa rrëzimin i tha MailOnline: “Ishte një rënie shumë e shpejtë, kështu që teleferiku u rrëzua për pak kohë para se të ndalonte përballë disa pemëve”.

“Policia (dhe të tjerët) janë në vendin e ngjarjes dhe po përpiqen të identifikojnë njerëzit. Është një mëngjes shkatërrues për të gjithë ne”.

Siç është thënë, linja kabllovike ishte rinovuar në vitin 2016 dhe ishte rihapur vetëm kohët e fundit pasi bllokimet e coronavirusit detyruan mbylljet e teleferikëve në të gjithë Italinë. /Telegrafi/