Osmani: Kur gratë dhe vajzat udhëheqin, shkruhet historia
Presidentja e 6-të e Kosovës dhe kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për presidente, Vjosa Osmani, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Rajonale “Imazhi dhe lidershipi politik i grave shqiptare: vlera, identiteti dhe perspektiva evropiane”, e organizuar në Prishtinë nga Aleanca Kombëtare e Këshilltareve Bashkiake të Shqipërisë, në bashkëpunim me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, dhe komunën e Prishtinës.
Në një nga adresimet më domethënëse të konferencës, Osmani vendosi theksin te roli historik dhe politik i grave shqiptare në periudhat më të rëndësishme të kombit, duke deklaruar se lidershipi i grave nuk është vetëm çështje përfaqësimi, por forcë që ka ndikuar drejtpërdrejt në mbijetesën, lirinë dhe ndërtimin demokratik të shoqërisë.
“Kur gratë dhe vajzat udhëheqin e veprojnë me guxim, ato shkruajnë historinë aty ku ajo fitohet: në fushëbetejë,” u shpreh Osmani para pjesëmarrësve.
Ajo tha se gratë shqiptare kanë qenë historikisht pjesë e çdo etape vendimtare të kombit, nga rezistenca dhe mbijetesa në kohë lufte, deri te ndërtimi i institucioneve dhe avancimi i proceseve demokratike dhe euro-atlantike.
Konferenca mblodhi përfaqësuese politike, diplomate, aktiviste dhe përfaqësues institucionalë nga Kosova, Shqipëria, rajoni dhe diaspora shqiptare, me fokus te roli i grave në politikë, qeverisje, ekonomi dhe proceset integruese evropiane.
Në fjalimin e saj, Osmani foli edhe për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen gratë në jetën publike dhe politike, duke theksuar se demokracia nuk mund të konsiderohet e plotë pa pjesëmarrje të barabartë dhe dinjitoze të grave në vendimmarrje.
Ajo theksoi gjithashtu nevojën për krijimin e një kulture politike të bazuar në integritet, respekt dhe mundësi të barabarta, duke paralajmëruar për rreziqet që paraqesin gjuha e urrejtjes, dezinformimi dhe sulmet ndaj grave në hapësirën publike dhe digjitale.
Në kuadër të konferencës u prezantua edhe “Deklarata e Prishtinës 2026”, dokument që synon fuqizimin e grave në politikë dhe qeverisje, rritjen e bashkëpunimit institucional dhe mbështetjen e lidershipit të grave në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
Pjesëmarrja e Osmanit në këtë aktivitet vjen në një periudhë të diskutimeve politike për zhvillimet e ardhshme institucionale në vend, ndërsa emri i saj vazhdon të përmendet si një nga figurat më të rëndësishme në skenën politike të Kosovës. /Telegrafi/


