Operacioni i IPK-së, arrestohen tre zyrtarë policorë
Tre zyrtarë policorë janë arrestuar në një operacion të zhvilluar të enjten nga organet e rendit në Kosovë, nën dyshimet për përfshirje në disa vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Sipas njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), operacioni është udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me IPK-në dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Gjatë aksionit, katër zyrtarë policorë janë shoqëruar në objektin e IPK-së për intervistim.
“Pas intervistimit, tre zyrtarë policorë janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, kurse ndaj një zyrtari tjetër rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Operacioni është realizuar në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas IPK-së, gjatë operacionit janë bastisur pesë persona zyrtarë dhe dy persona civilë, të cilët dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale.
Hetimet ndaj katër zyrtarëve policorë po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nën dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit”.
Ndërkaq, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast.
“Hetuesit e IPK-së, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë, pritet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin”, thuhet tutje në njoftim.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Policia e Kosovës, e cila ka theksuar se operacioni është rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të iniciuara nga vetë Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë.
“Policia e Kosovës dëshmon profesionalizëm dhe zero tolerancë ndaj paligjshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin”, thuhet në reagimin e Policisë.
Sipas Policisë së Kosovës, hetimet për këtë rast kanë zgjatur për disa muaj, ndërsa organet kompetente dhe IPK-ja janë njoftuar me kohë për të gjitha dyshimet e ngritura ndaj zyrtarëve të përfshirë.
Policia bëri të ditur se tre zyrtarët e arrestuar janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.
“Çdo zyrtar që bie ndesh me ligjin dhe standardet profesionale do të përballet me masa rigoroze ligjore”, thuhet në reagim.
Tutje, Policia e Kosovës ritheksoi se luftimi i krimit dhe korrupsionit në çdo nivel mbetet prioritet institucional dhe se operacionet për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave të përfshirë në veprimtari kriminale do të vazhdojnë pa ndërprerje./Telegrafi.


