Ofroheshin shërbime mjekësore pa licencë në Obiliq, mbyllet veprimtaria
Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime në Obiliq pas dyshimeve se në një objekt po ofroheshin shërbime mjekësore pa lejen përkatëse nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas raportit policor, rasti është evidentuar të shtunën rreth orës 14:00, kur është siguruar informacioni se në një nga dhomat e objektit po ushtrohej veprimtari mjekësore në kundërshtim me ligjin.
Për rastin janë njoftuar Inspektorati Farmaceutik dhe Inspektorati Shëndetësor, të cilët, në bashkëpunim me policinë, kanë vendosur vulën zyrtare për ndalimin e veprimtarisë në atë hapësirë.
Në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar një burrë dhe një grua. Pas intervistimit dhe inicimit të rastit, me vendim të prokurorit, ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në një hapësirë tjetër të objektit janë gjetur edhe pjesë të vjetruara të uniformës së Policisë së Kosovës.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. /Telegrafi/


