Please enter at least 3 characters.

Odat ekonomike alarmojnë: Pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA dëmton ekonominë e Kosovës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë reaguar me shqetësim të thellë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën.

Ky proces ishte paraparë si një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

DhTIK thekson se marrëdhëniet me SHBA-të janë jetike për Kosovën, duke kujtuar se Amerika ka qenë gjithmonë partner strategjik në ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik. Institucioni vlerëson se çdo veprim që dëmton këtë raport është kundër interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të vendit.

Në reagimin e saj, DhTIK rikujtoi se kishte kërkuar që qeveria të hiqte me urgjencë taksën ndaj produkteve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi u vlerësuan si të vonuar dhe joefektivë.

Nga ana tjetër, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, tha se pezullimi i Dialogut Strategjik është një hap prapa për aspiratat ekonomike e diplomatike të Kosovës. Ai theksoi se krijimi i një imazhi të besueshëm për Kosovën si destinacion i sigurt për investime duhet të jetë prioritet kombëtar.

Rafuna ngriti shqetësimin për mungesën e investimeve të huaja dhe rënien e remitancave nga diaspora, që sipas tij po krijojnë një situatë të vështirë për ekonominë e vendit. Ai përmendi edhe sfidat e liberalizimit të tregut të energjisë, që kanë shtuar barrët për bizneset.

Të dyja organizatat ekonomike apeluan për gjetjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje dhe rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-të, duke kërkuar gjithashtu konsolidimin e politikave ekonomike për të rikthyer besimin e investitorëve të huaj dhe për të siguruar kushte të qëndrueshme për zhvillim.