Nuk keni nevojë t’i shkurtoni flokët për t’u dukur më të reja: Tri modele për gratë mbi 50 vjeç
Një detaj në mënyrën si flokët bien, lidhen ose marrin volum mund ta ndryshojë krejt pamjen, pa pasur nevojë për prerje drastike
Për vite me radhë ka ekzistuar një rregull i pashkruar se gratë pas moshës 50-vjeçare duhet të mbajnë flokë të shkurtër. Megjithatë, trendet e sezoneve të fundit tregojnë pikërisht të kundërtën: gjithnjë e më shumë gra po zgjedhin flokë me gjatësi mesatare ose të gjatë, të përshtatur me stilin e tyre, formën e fytyrës dhe cilësinë e flokut.
Sot, stilistët e flokëve theksojnë se mosha nuk është arsye për ta ndryshuar gjatësinë e flokëve. Shumë më e rëndësishme është që modeli të duket i kuruar, të japë volum aty ku nevojitet dhe të mirëmbahet lehtë, sidomos gjatë muajve të verës.
Nëse nuk dëshironi t’i shkurtoni flokët, këto tri modele mund të jenë zgjedhje shumë e mirë, transmeton Telegrafi.
1. Topuz i ulët
Topuzi i ulët është një nga zgjedhjet më të sigurta për verën, sepse i largon flokët nga qafa, duket elegant dhe i përshtatet pothuajse çdo rasti.
Mund të jetë plotësisht i lëmuar për një pamje më elegante, ose pak më i lirshëm, me disa fije flokësh që kornizojnë fytyrën.
Si ta bëni një topuz të ulët?
▪ mblidhni flokët në një bisht të ulët
▪ mbështilleni bishtin në formë topuzi
▪ fiksojeni me karfica
▪ sipas dëshirës, nxirrni disa fije të holla rreth fytyrës
▪ në fund, përdorni pak llak flokësh.
Pse u përshtatet grave 50+?
Vizualisht e zgjat qafën, duket i rregullt dhe i thekson tiparet e fytyrës pa shumë mundim.
2. Topuzi francez
Topuzi francez prej dekadash konsiderohet një nga modelet më elegante të flokëve.
Funksionon shumë mirë te flokët me gjatësi mesatare dhe të gjatë, ndërsa duket veçanërisht bukur kur nuk është i shtrënguar plotësisht, por ka pak volum natyral.
Nëse keni flokë të prerë me shkallëzim ose balluke, disa fije mund të mbeten rreth fytyrës dhe t’i japin pamjes më shumë butësi.
Pse është kaq i popullarizuar?
▪ i përshtatet pothuajse çdo forme fytyre
▪ duket elegant si në kombinimet e ditës, ashtu edhe në ato të mbrëmjes
▪ i përballon lehtë vapën e verës.
3. Onde të mëdha dhe të buta
Nëse preferoni flokë të lëshuar, ondet e mëdha janë një nga zgjedhjet më të bukura.
Ato krijojnë përshtypjen e flokëve më të dendur, japin lëvizje dhe i zbusin tiparet e fytyrës.
Më lehtë arrihen me figaro të madh ose me tharje me furçë të rrumbullakët dhe shkumë për volum.
Veçanërisht bukur duken kur mbahen me ndarje të lehtë anash, e cila këtë sezon është rikthyer fuqishëm në trend.
Si të duket floku më i dendur?
Me kalimin e viteve, flokët shpesh bëhen më të hollë, prandaj stilistët rekomandojnë disa truke të thjeshta:
▪ shtresa të lehta me shkallëzim
▪ produkte për volum në rrënjë
▪ tharje me furçë të rrumbullakët
▪ ndarje anash në vend të ndarjes në mes
▪ shkurtim të rregullt të majave të dëmtuara.
Çfarë është më e rëndësishme se gjatësia?
Stilistët modernë gjithnjë e më shpesh theksojnë se nuk ekziston një gjatësi “ideale” e flokëve pas moshës 50-vjeçare. Ajo që bën dallimin është floku i shëndetshëm, prerja e duhur dhe modeli që i përshtatet mënyrës së jetesës.
Qoftë nëse zgjidhni topuzin, shijonin elegant apo ondet e buta, qëllimi nuk është të dukeni më të reja me çdo kusht, por të dukeni të kuruara, moderne dhe natyrale.
Pikërisht për këtë arsye, sot gjithnjë e më shumë gra zgjedhin modele flokësh që e theksojnë individualitetin e tyre, në vend që të ndjekin rregulla të vjetruara se si “duhet” të duken flokët në një moshë të caktuar. /Telegrafi/


