Situata e tensionuar në veri të Republikës ka bërë që Bashkim Evropian të vendosë masa pezulluese ndaj Kosovës. Disa prej tyre janë vendosur e disa të tjera pritet të vendosen.
Madje për këtë në një përgjigje elektronike për RTK-në, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se përveç pezullimit të disa projekteve të rëndësishme ekonomike për Kosovën, kanë pezulluar edhe vizitat e larta shtetërore.
“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e e këtij organi më 29-30 qershor”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.


