Një banesë e shkrumbuar në Postribë të Shkodrës, dyshohet për një fëmijë të vdekur
Një banesë në fshatin Domen të Postribës, në qarkun e Shkodrës, është përfshirë nga flakët mesditën e sotme, ndërkaq dyshohet për një fëmijë të vdekur.
Sipas informacioneve paraprake, banesa është djegur plotësisht. Për shkak të terrenit të vështirë malor, forcat zjarrfikëse kanë hasur vështirësi për të mbërritur në vendngjarje, ndërsa kur kanë arritur, objekti ishte tashmë i shkrumbuar, raporton euronews.al.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet se brenda banesës ka humbur jetën një fëmijë. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet.
Banesa ndodhet rreth 30 minuta në këmbë nga rruga automobilistike, çka dyshohet se ka ndikuar në vonesën e ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse.
Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë verifikimet për të zbardhur rrethanat e zjarrit dhe për të konfirmuar nëse ka viktima apo persona të tjerë të prekur.
Pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet për të sqaruar plotësisht ngjarjen.


