Nita Efendia-Brovina emërohet drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjakovë
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka emëruar Nita Efendia-Brovinën në pozitën e drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport.
Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Gjakovës, e cila ka vlerësuar përvojën e Efendia-Brovinës në fushën e gazetarisë, kulturës dhe politikës.
“Nën udhëheqjen e saj, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport do të vazhdojë realizimin e projekteve të nisura dhe do të angazhohet maksimalisht në fuqizimin e rinisë, pasurimin e jetës kulturore dhe mbështetjen e pakursyer për sportin dhe sportistët tanë”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Me këtë rast, Komuna ka falënderuar edhe ish-drejtoreshën Adea Roka-Pylla për punën dhe angazhimin gjatë mandatit të saj.
“Falënderojmë përzemërsisht ish-drejtoreshën Adea Roka-Pylla për punën, përkushtimin dhe angazhimin e saj të jashtëzakonshëm”, thuhet më tej në njoftim.
Komuna e Gjakovës i ka uruar sukses Efendia-Brovinës në detyrën e re.
“Njëkohësisht, i urojmë shumë suksese dhe punë të mbarë drejtoreshës së re, Nita Efendia-Brovina, në këtë rrugëtim të ri plot përgjegjësi!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


