Nisin punimet në rrjetin elektrik, pritet të përmirësohet furnizimi me ujë në Smirë, Vërban e Kabash
Komuna e Vitisë ka njoftuar se kanë nisur punimet në rrjetin elektrik, të cilat pritet të mundësojnë furnizim më të mirë me energji për sistemin e ujësjellësit që u shërben fshatrave Smirë, Vërban dhe Kabash.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtorin regjional të KEDS-it, Emin Emini, kanë vizituar punimet që po zhvillohen në këtë projekt.
Sipas Komunës, aktualisht po punohet në instalimin e një transformatori me fuqi 250 kVA, vendosjen e 41 shtyllave të formatit 9/1000, si dhe shtrirjen e kabllos ABC 4x70 mm².
Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për sistemin e ujësjellësit dhe, rrjedhimisht, në sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm me ujë për banorët e këtyre lokaliteteve.
Kryetari Sokol Haliti ka falënderuar KEDS-in dhe drejtorin regjional Emin Emini për bashkëpunimin dhe angazhimin në realizimin e projektit.
“Në emër të qytetarëve të Vitisë, falënderoj KEDS-in dhe drejtorin regjional, z. Emin Emini, për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në realizimin e këtyre punimeve. Përmirësimi i infrastrukturës energjetike është i rëndësishëm për funksionimin e qëndrueshëm të ujësjellësit dhe për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët tanë”, ka thënë Haliti./Telegrafi/


