Nis procesi për restaurimin e ish-"Shtëpisë së Armatës", objekti do të shndërrohet në Muze të Mitrovicës
Ka nisur zyrtarisht puna e Grupit Punues Ndërinstitucional dhe Profesional, i cili do të hartojë detyrën projektuese dhe do të përcaktojë kushtet, kriteret teknike dhe standardet profesionale për hartimin e projektit të konservimit, restaurimit dhe muzealizimit të ish-"Shtëpisë së Armatës" në Mitrovicë.
Sipas njoftimit të Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, objekti, bazuar në vendimin e Kuvendit Komunal, do të shërbejë si selia e përhershme e Muzeut të Mitrovicës.
Ai ka bërë të ditur se ky është një hap i rëndësishëm, pasi për herë të parë në Komunën e Mitrovicës po zhvillohet një proces i tillë me pjesëmarrjen e ekspertëve të fushave përkatëse dhe institucioneve përgjegjëse.
Sipas tij, puna e grupit do të krijojë bazën për realizimin e një projekti të mirëfilltë, i cili do të mundësojë ruajtjen, restaurimin dhe promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit të qytetit.
Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport ka përshëndetur fillimin e këtij procesi, duke u uruar punë të mbarë anëtarëve të Grupit Punues.
"Mitrovica e meriton një muze dinjitoz dhe funksional. Sot hodhëm një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij vizioni", ka deklaruar ai. /Telegrafi/


