Please enter at least 3 characters.

Nga rrethimi te sakrifica, beteja e familjes Jashari që ndryshoi rrjedhën e luftës në Kosovë

Mëngjesin e 5 marsit 1998, në fshatin Prekaz, forcat e policisë dhe ushtrisë serbe rrethuan kullat e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.

Për tri ditë me radhë, familja Jashari bëri rezistencë të armatosur kundër komplet aparaturës kriminale te shtetit serb. Sulmi përfundoi më 7 mars me rënien e 56 anëtarëve të familjes, nga mosha 5 deri në 75 vjeç, por sakrifica e tyre u bë një pikë kthese që mobilizoi një popull të tërë në rrugën drejt lirisë.

5 marsi i vitit 1998. Në këtë ditë familja Jashari u zgjua nën rrethimin e artilerisë së policisë dhe ushtrisë serbe. Cak e qëllim i këtyre forcave ishte pushtimi i Jasharajve. Serbët e dinin që s’ishte edhe aq e thjesht hyrja e në shtëpinë e familjes Jashari. Andaj rrethuan komplet lagjen. Por këtë rrethim e kishte hetuar komandanti legjendar Adem Jashari. Asnjë nga anëtarët e familjes nuk u larguan nga shtëpitë. Vendosën që të luftonin dhe të mos dorëzoheshin.

Rreth orës 06:00 të mëngjesit, artileria serbe kishte filluar sulmin mbi Familjen e Adem Jasharit dhe Lagjes Jashari. Sulmi i pamëshirshëm i forcave serbe nuk ndal për tri ditë me radhë. Megjithatë, makineria serbe nuk po mund ta mposhte këtë familje.

Kënga e Ademit dhe e Hamzës nuk po ndalej, e po ashtu as rezistenca e tyre tashmë po kthehej në makthë të ushtrisë serbe. Kjo bëri që forcat ushtarake serbe ti shtojë sulmet. Dorëzimin i Ademit, Shabanit e Hamzës ose vrasja e komplet familjes, ishte qëllimi i tyre. Por rezistenca e Jasharajve bindi Serbinë e asaj kohe se aty dorëzim nuk ka e në duart e tyre i gjallë nga familja emblematike nuk do të binte kush. Duke parë që Kullat e Jasharajve nuk po binin e motivi i kësaj familje për rezistencë nuk po bije, kriminelet serb vazhduan sulmin për tri ditë me radhë.

Madje kjo bëri që më 7 mars 1998 makinerie ushtarake serbe të rritej e sulmet të intensifikohen. Dhe ashtu ndodhi. Pas tri ditësh luftimesh me krejt kapaciteti që kishin, forcat serbe në këtë ditë arritën ta vrasin Ademi, Hamzën dhe anëtarët e tjerë të familjes.

56 anëtarë të Jasharave nga mosha 5 e deri 75 vjec, mbetën të vrarë brenda Kullave dhe asnjëri prej tyre nuk u dorëzua në duart e kriminelëve serbë.

E nesërmja e 8 marsit 1998 ishte kapluar nga qetësia. Madje edhe komoditeti i kriminelëve serb pas asaj që kishin bërë ishte më i madh.

Prekazi vazhdonte të mbahej i rrethuar e gjurmët e krimit shiheshin kudo. Shkatërrim të gjithçkaje, shtëpi të rrënuar e të djegura. Ndonëse aparatura e Serbisë arriti të vras një familje, flijimi i Jasharajve ngriti në këmbë një popull të tërë. Amaneti i Komandantit Adem Jashari nga Prekazi u jetësua. Sot ushtarët që u frymëzuan nga ai edhe I këndojnë si ushtri e Kosovës./RTK