Please enter at least 3 characters.

Nga Parisi në Madrid, Mbappe tregon ndryshimin që i dha krahë karrierës

Pas muajsh spekulimesh dhe një transferimi që tronditi botën e futbollit, Kylian Mbappe më në fund po shijon jetën në Madrid.

Ylli francez jo vetëm që po shkëlqen në fushë me gola dhe paraqitje spektakolare, por ka treguar se ndryshimi i ambientit i ka bërë mirë edhe në aspektin personal.

Në një deklaratë të fundit, Mbappe ka folur hapur për jetën e tij në kryeqytetin spanjoll, duke bërë një krahasim të sinqertë mes Madridit dhe Parisit, megjithëse ka theksuar se nuk ka asnjë qëllim kritik ndaj vendit të tij.

“Jam përshtatur mirë në Madrid, ndihem pak më i qetë atje. Kjo nuk është një sulm ndaj Francës. Stili i jetesës është ndryshe, më pak i rrëmujshëm se në Paris. Kam arritur të rigjej qetësinë mendore dhe fizike”, ka thënë Mbappe.

Mbappe, i cili sezonin e kaluar fitoi trofeun prestigjioz si golashënuesi më i mirë në La Liga, ka vazhduar me formën e tij të jashtëzakonshme edhe këtë sezon.

Në vetëm 10 ndeshje të zhvilluara deri tani, ai ka realizuar 14 gola dhe ka dhënë 2 asistime, duke konfirmuar statusin e tij si një nga futbollistët më të mirë në botë.

Transferimi i tij në Madrid jo vetëm që ka ndezur entuziazmin e tifozëve madrilenë, por duket se ka sjellë një rifreskim të plotë për vetë lojtarin, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal. /Telegrafi/