Nëse largohen amerikanët, Bondsteel shkon me ta
Amerikanët nuk do t’ia lejojnë askujt kampin, ndërsa pohimet se aty mund të rri KFOR-i apo se baza më e madhe e ndërtuar pas luftës në Vjetnam mund t’i dorëzohet Turqisë, janë dezinformata. Këtë e thotë për Blic kapitenia Joy Stubb, oficere për marrëdhënie me publikun, në grupin luftarak shumëkombësh të Lindjes, në kampin Bondsteel.
Ndonëse një ditë - por jo para qershorit 2013 - SHBA vendosë që krejtësisht të tërhiqet nga Kosova, të gjitha kazermat, pajisjet ushtarake, relejët... do të çmontohen, ndërsa toka në viset malore mbi Ferizaj do t’ju kthehet pronarëve të mëparshëm, “siç ka ndodhur edhe me kampet e vogla, p.sh. në Viti”.
"Trupat amerikane nuk do të tërhiqen nga Kosova dhe nuk ka plane që në të ardhmen e afërt të mbyllet kampi. Rotacionit aktual i ushtarëve amerikanë të KFOR-it do të qëndroj deri në shtator 2012, kur planifikohet të zëvendësohen me rotacionin e ri i cili qëndron në Kosovë deri në qershor 2013”, ka thënë Staab, duke theksuar “se nuk ka plane që dikush tjetër, pos forcave amerikane, ta kontrolloj Bondsteelin”.
Koloneli Jeffrey Layton, komandant i forcave amerikane në Kosovë, ka thënë më herët për Blic se forcat amerikane do të largohen nga Kosova vetëm "kur të sigurohet liria e lëvizjes për të gjithë”. Megjithatë, ai ka pranuar se prania e ushtarëve amerikanë në Kosovë është simbolike.
Nga 5,000 trupat e dikurshme, SHBA ka reduktuar praninë e saj në vetëm 750, ka mbajtur 11 nga 50 helikopterëve "Apache" dhe "Black hoc". Të dhënat mbi numrin e tankeve dhe armëve të rënda janë sekrete, ndërsa flitet se më herët ishin rreth 40.
Analisti ushtarak serb, Aleksandar Radic, thotë për "Blic" se amerikanët kanë tërhequr të gjitha armatimet e rënda nga Kosova, sepse “i kanë humbur motivet e sigurisë në Ballkan."
“Bondsteel ka humbur moti rëndësinë. Që dy-tre vjet nuk ka armë të rënda, ndërsa në vend të ushtarëve profesionistë, aty tani janë anëtarët e Gardës Kombëtare. Prioritet strategjik i SHBA-ve janë Paqësori, ndërsa praninë po e zvogëlojnë edhe në vendet tjera. Me zvogëlimin e trupave në Kampin Bondsteel, është treguar se frika e disa politikanëve lokalë - që thoshin se baza ushtarake do të qëndrojë për njëmijë vjet – ishte e pabazë”, thotë Radic.
Sipas tij, prania amerikane do të jetë simbolike në Kosovë, derisa nuk tërhiqen plotësisht, si në Bosnje, ku kishte kontingjentin më të madh ndërsa tani nuk e kanë asnjë ushtar.
“Baza është ndërtuar ashtu që të jetë e përkohshme dhe të tërhiqet lehtë”, thotë ai.
Megjithatë, analistët serbë nuk janë gati ta eliminojnë mundësinë që pas largimit të amerikanëve baza të vihet në kontroll të dikujt tjetër.
Ekipi shumëkombësh luftarak i Lindjes, pos amerikanëve, përbëhet edhe nga ushtarët grekë, gjermanë, marokenë, turq, ukrainas, francezë dhe polakë. Radic hodhi poshtë mundësinë se baza mund të shfrytëzohet nga shtetet tjera, por thotë se “forca shumëkombëshe mund të qëndrojnë në Bondsteel pas largimit të amerikanëve”. /Telegrafi/


