Please enter at least 3 characters.

Nënshkruhet marrëveshja për kyçjen e 300 ekonomive familjare në rrjetin e ujësjellësit në Hogosht

Komuna e Kamenicës dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Hidromorava" kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për instalimin e kyçjeve shtëpiake në rrjetin e ujësjellësit për banorët e fshatit Hogosht.

Në takimin e mbajtur me këtë rast, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Ambientit, Infrastrukturës dhe Emergjencave, Zotrim Kastrati, kanë pritur menaxherin e njësisë së KRU "Hidromorava" në Kamenicë, Sherif Thaqin, si dhe kryeshefin ekzekutiv të KRU "Hidromorava" Sh.A. në Gjilan, Ymer Salihun.

Sipas njoftimit të Komunës së Kamenicës, marrëveshja synon instalimin e kyçjeve shtëpiake në sistemin e ujësjellësit për banorët e Hogoshtit, përmes një kompanie të licencuar nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, e ka cilësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të furnizimit me ujë për banorët e këtij lokaliteti.

"Bashkë me Kryeshefin Ekzekutiv të KRU 'Hidromorava', Ymer Salihun, kemi nënshkruar marrëveshjen për instalimin e kyçjeve shtëpiake në rrjetin e ujësjellësit në fshatin Hogosht. Në kuadër të këtij bashkëpunimi do të realizohet kyçja e 300 ekonomive familjare në rrjetin e ujësjellësit, në vlerë prej 80 mijë eurosh", ka deklaruar Rahimaj.

Ai ka theksuar se ky projekt do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e qasjes së banorëve në shërbimet e ujësjellësit.

"Kjo marrëveshje shënon fillimin e një bashkëpunimi të rëndësishëm që do t’u mundësojë banorëve të Hogoshtit qasje më të lehtë në shërbimin e ujësjellësit. Ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë për të plotësuar nevojat e qytetarëve në secilin lokalitet", ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, kryeshefi ekzekutiv i KRU "Hidromorava", Ymer Salihu, ka vlerësuar bashkëpunimin me Komunën e Kamenicës, duke theksuar se investimi synon përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët. /Telegrafi/