Please enter at least 3 characters.

Në Viti mbahet karvani shëndetësor “PërShëndetje” për vetëdijesimin e qytetarëve

Në sheshin e qytetit të Vitisë “Nijazi Azemi – Komandant Mjekra” është mbajtur karvani shëndetësor “PërShëndetje”, një aktivitet me karakter informues e parandalues, i organizuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti, në bashkëpunim me AQH dhe OJQ-në “Mundësia” nga Mitrovica.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili përgëzoi organizatorët për nismën që, sipas tij, ka rëndësi të madhe për vetëdijesimin e qytetarëve rreth sëmundjeve dhe kujdesit ndaj shëndetit publik, përcjell Telegrafi.

Nga ana e saj, drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli-Halili, tha se ky është viti i dytë që karvani shëndetësor “PërShëndetje” mbahet në qytetin e Vitisë dhe se synimi i tij është informimi i qytetarëve për sëmundjet e ndryshme, mënyrat e parandalimit dhe faktorët e rrezikut.



Ajo shtoi se qytetarët vitias mund të marrin këshilla të ngjashme edhe në këshillimoret e QKMF-së në Viti, ku ofrohen shërbime të specializuara për parandalimin e sëmundjeve.

Gjatë aktivitetit, qytetarët patën mundësi të informohen në tendat e vendosura në shesh për rreziqet e sëmundjeve jo ngjitëse, si dhe për dëmet që shkakton duhanpirja, konsumimi i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqyerja e pashëndetshme.

Një pjesë e veçantë e karvanit iu kushtua këshillave për parandalimin e kancerit të gjirit.

Ky aktivitet synon të nxisë kulturën e kujdesit shëndetësor dhe vetëdijesimin qytetar, duke e kthyer sheshin e qytetit në një hapësirë të shëndetit dhe informimit publik. /Telegrafi/