Në Spitalin e Pejës kryhet një operacion i rrallë
Në një institucion shëndetësor publik është realizuar për herë të parë me sukses nefrektomia laparoskopike, një intervenim i rrallë dhe minimalisht invaziv, që konsiderohet hap i rëndësishëm drejt avancimit të kirurgjisë moderne.
Sipas njoftimit të spitalit, ndërhyrja është kryer nga urologu Dr. Shkëlzen Elezaj, ndërsa në realizimin e saj kanë marrë pjesë edhe ekipet e repartit të Urologjisë, Anestezionit dhe Kujdesit Intensiv.
“Për herë të parë në një institucion shëndetësor publik është realizuar me sukses nefrektomia laparoskopike, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt avancimit të kirurgjisë moderne dhe procedurave minimalisht invazive”, thuhet në njoftim.
Spitali ka shprehur mirënjohje për stafin e përfshirë në këtë procedurë, duke veçuar edhe kontributin e Dr. Naim Loxhës dhe Dr. Liridon Elezajt.
“Falënderim i veçantë për Dr. Naim Loxha si dhe për Dr. Liridon Elezaj për mbështetjen dhe bashkëpunimin profesional”, thuhet më tej.
Nga spitali theksohet se ky sukses është dëshmi e rritjes së kapaciteteve profesionale dhe e zhvillimit të shërbimeve shëndetësore, duke nënvizuar se “me punë, dije dhe përkushtim, shëndetësia jonë vazhdon të ecë përpara”. /Telegrafi/


