Please enter at least 3 characters.

Në “Arena e Yjeve” me Genc Bajramin – si po ndryshon sporti në Kosovë falë sponsorizimeve strategjike të Exfis

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, mysafir është Genc Bajrami, përfaqësues i kompanisë Exfis. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.

Bajrami foli fillimisht për bashkëpunimin me shkollën e futbollit “2 Korriku”, të cilën e cilësoi si një ndër shembujt më profesional dhe më inspirues të punës me gjeneratat e reja.

Sipas tij, investimi në fëmijë dhe në edukimin sportiv është një prej rrugëve më të sigurta për ta ngritur nivelin e futbollit në Kosovë.

Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedës ishte mbështetja që Exfis i ka dhënë FC Prishtina 01 – ekip që këtë edicion u rendit ndër 16 skuadrat më të mira të Evropës në futsall.

Bajrami foli edhe për arsyen pse Exfis zgjedh të mbështesë shkollat e futbollit dhe ekipet e femrave. Sipas tij, kjo është një fushë që meriton më shumë vëmendje, sepse aty formohen talentet dhe ndërtohet e ardhmja e sportit.

Në vazhdim, Bajrami diskutoi edhe ndikimin e Ligjit për Sponsorizim, i cili ka transformuar mënyrën e funksionimit të klubeve. Ai theksoi se pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, klubet janë bërë më profesionale, më transparente dhe më të gatshme për bashkëpunime serioze.

Exfis, sipas Bajramit, nuk ka kontribuar vetëm financiarisht, por edhe në infrastrukturë. Ai përmendi investimet e bëra për shkollat e futbollit si TOP Football dhe Don Bosko, ku kompania ka ndihmuar në përmirësimin e kushteve për punë dhe stërvitje.

Ky episod i “Arenës së Yjeve” tregoi qartë vizionin e Exfis dhe rolin e saj si një partner i rëndësishëm i sportit në Kosovë, një kompani që nuk e sheh sponsorizimin si marketing, por si investim në të ardhmen e vendit.

Episodin e plotë me rrëfimet e Genc Bajramit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

- YouTubewww.youtube.com