Please enter at least 3 characters.

Ndjekje si në filma nga Rahoveci në Gjakovë, arrestohet i dyshuari pasi goditi veturën e Policisë

Një person është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së dielës, pas një ndjekjeje policore që nisi në Rahovec dhe përfundoi në Gjakovë, pasi dyshohet se refuzoi urdhrat e policisë për t’u ndalur dhe tentoi t’i godiste zyrtarët policorë me automjet.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Sipas saj, gjatë kontrolleve rutinë në fshatin Krushë të Rahovecit, drejtuesi i një automjeti nuk i është bindur urdhrit të policisë për t’u ndalur.

“Zyrtarët policorë janë vënë në ndjekje të tij dhe, me mbështetjen e njësive të tjera, kanë tentuar ta ndalojnë në rrugën magjistrale Prizren–Gjakovë, mirëpo ai ka refuzuar sërish të ndalojë dhe ka tentuar t’i godasë zyrtarët policorë”, ka bërë të ditur Krasniqi.

Ajo shtoi se gjatë ndjekjes nga një patrullë tjetër policore në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, i dyshuari ka goditur automjetin zyrtar të Policisë, duke shkaktuar një aksident trafiku ku është përfshirë edhe një automjet civil.

Pas aksidentit, i dyshuari është përpjekur të largohet në këmbë, por është ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor.

“Në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj tij janë iniciuar rastet ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, ndërsa është ndaluar për 48 orë”, ka konfirmuar Krasniqi. /Telegrafi/