Ndërron jetë Amy Winehouse
Krijuesja e hitit “Back To Black” është gjetur nga shërbimet e emergjencës pasditen e të shtunës, ndërsa vdekjen e saj policia e ka përshkruar si “të pasqaruar”.
“Policia është ftuar nga Shërbimi ambulantor i Londrës në një adresë në Camden Square NW1, pak para orës 16:05 sot, e shtunë, 23 korrik, pas raporteve se një femër është gjetur e vdekur. Pas arritjes, policët kanë gjetur trupin e një femre 27-vjeçare, e cila është shpallur e vdekur që në vend”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkohë, sipas spekulimeve, këngëtarja ka humbur jetën si pasojë e një mbidoze me drogë.
Winehouse u bë e famshme me albumin “Back to Black”, i cili përfshinte kombinime të zhanrit xhaz, ‘soul’, rok dhe pop-klasik, ndërsa shumë këngë të Amyt u bënë hit anekënd botës. Albumi në fjalë fitoi pesë çmime Grammy dhe e bëri këngëtaren një yll të njohur botëror.
Në vitet e fundit, Amy ka luftuar vazhdimisht kundër vartësisë së saj nga droga dhe alkooli, ndërsa disa herë është shtruar në rehabilitim, por edhe në spital duke vuajtur nga sëmundje të ndryshme të lidhura me këto shprehi të këqija.
Këngëtarja së fundmi hoqi dorë nga një turne muzikor, pasi që u fishkëllye nga fansat në koncertin e saj në Beograd. Fillimisht u anuluan vetëm koncertet në Stamboll dhe Athinë, por më pas, menaxherët e saj anuluan edhe koncertet tjera.
Vdekja e saj në moshë 27-vjeçare, e vë atë krahas legjendave të muzikës që kanë ndërruar jetë pikërisht në këtë moshë, si Janis Joplin, Jimi Hendrix, Jim Morrison e Kurt Cobain. /Telegrafi/


