Please enter at least 3 characters.

Ndahet përgjysmë një rrugë në Prishtinë, reagon Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca

Rruga “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë të dielën pasdite një pesë e saj është ndarë përgjysmë, shembur.

Dejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, ka treguar se nuk ka persona të lënduar nga shembja e rrugës.

Drejtori Lulëzim Fushtica, tha se shkaku i shembjes së rrugës nuk dihet ende, por sipas tij,dyshohet se ka pasur rrjedhje të ujit, gjë e cila nuk është parë, sepse ka qenë nën rrugë.

Sipas tij, si pasojë e shembjes së kësaj rruge, në këtë zonë është ndërprerë furnizimi me energji elektrike dhe ujë.

Fushtica tha po ashtu se pronari i ndërtesës është thirrur në polici për t’u intervistuar lidhur me këtë rast.

“Shkaku ende nuk dihet, është ende shumë herët të flitet. Policia është në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, me Inspektoratin e Ndërtimit, KEDS-in, Ujësjellësin, pra të gjitha ekipet. Për momentin janë duke i marrë masat fillestare të sigurimit të vendit. Pronari i ndërtesës është thirrur në polici që të intervistohet si shkak i këtij rasti. Realisht, sipas të gjitha gjasave, do të iniciohet edhe rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Nesër inspektorati do të dalë në vendin e ngjarjes dhe do të fillojë me masat të cilat duhet të ndërmerren. Rruga duhet të jetë e mbyllur për një kohë të gjatë. Do ti marrim të gjitha masat që kjo hapësirë të jetë e sigurt që mos të vijë deri te ndonjë rrezik tjetër dhe do të mbesin ekipet këtu deri sa të eliminohet rreziku për momentin… Ka pasur rrjedhje të ujit, por nuk është parë sepse ka qenë nën rrugë, por ekipet e Ujësjellësit dhe të gjitha të tjerat janë në vend të ngjarjes. Është ndalur rryma dhe do të ndalet edhe uji”, tha Fushtica për KP.

Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim të automjeteve dhe qytetarëve në këtë rrugë, e cila paraqet rrezik për ta.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën të ditur se për shkak të shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti” do të ndërpritet uji në disa zona të Prishtinës.

Sipas njoftimit të kompanisë, ndërprerja e ujit do të zgjas deri në sanim të gypit.

Rrugës ku do të ndalet uji: rruga “Mehmet Shpendi”, rruga” Bislim Islami”, rruga” Don Stjefan Kurti”, rruga” Kiri”, rruga” Agim Prodani”, rruga “Ymer Bytyqi” dhe rruga” Visar Thaqi”.