Mustafa, i kënaqur me punën e të gjithë ministrave
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk mund të bëjë dallime se cila ministri po punon më mirë se të tjera, sepse, sipas tij, të gjitha po bëjnë punë shumë të mirë.
“Mund të them se ekziston një performancë e mirë e kabinetit, në përgjithësi, dhe e ministrave veç e veç. Nuk mund të bëjë dallime tani, por me rëndësi është që Qeveria ka arritur rezultate të konsiderueshme në të gjitha aspektet, në realizimin e prioriteteve kryesore të Qeverisë”, ka thënë Mustafa në një intervistë për gazetën Bot Sot.
Mustafa ka përmendur edhe të arriturat kryesore të këtij mandati qeverisës.
“Si rezultat i kësaj, sot kemi rritje ekonomik rreth katër për qind, kemi avancuar në proceset eurointegruese, po zbatojmë MSA-në, kemi marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, kemi fuqizuar shtetin ligjor, jemi anëtarësuar në UEFA, FIFA e organizata tjera ndërkombëtare, kemi progres në arsim, kulturë, shëndetësi e të gjitha fushat tjera”, ka deklaruar ai.


