Musk zbuloi një detaj interesant nga Shtëpia e Bardhë: Trump më telefononte natën vonë për t'i dërguar akullore në dhomë
Bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Elon Musk, i dha mundësinë disa mediave amerikane t’i drejtojnë pyetje, ku zbuloi disa detaje interesante.
Fokusi i këtij aktiviteti ishte, natyrisht, përfshirja e Muskut në Shtëpinë e Bardhë, përkatësisht drejtimi i Departamentit joformal për Efiçencën e Qeverisë (DOGE).
Musk pranoi se ky departament nuk është aq efikas sa kishte pritur, por theksoi se "po bëjnë një punë të mirë".
Megjithatë, pjesa më interesante e ngjarjes ishte përgjigjja e Muskut në pyetjen se ku flinte gjatë kohës që ishte në Uashington, shkruan usatoday.
Dihet se Susie Wiles, shefja e kabinetit të Trumpit, nuk kishte lejuar hapjen e një zyre për miliarderin në Shtëpinë e Bardhë kur Trump mori detyrën e presidentit, por shefi i veturave Tesla zbuloi se kishte kaluar disa net duke qëndruar në rezidencën e presidentit amerikan.
“Trump më pyeste se ku po qëndroja, unë i thosha se nuk e dija dhe se ndoshta do flija tek ndonjë mik. Atëherë më ftonte të qëndroja në Shtëpinë e Bardhë, madje ndodhte që më telefononte vonë në mbrëmje që të shkoja të merrja akullore nga kuzhina”, tha miliarderi.
Ndryshe, Musk la të kuptohej se do të largohet nga puna në qeverinë amerikane dhe se do të përqendrohet në drejtimin e kompanive Tesla dhe SpaceX. /Telegraf/


