Murali Ratko Mladiqit në Zveçan, kryetari i Komunës arsyetohet se largimi i tij do të krijonte tensione
Murali i të dënuarit për krime lufte, Ratko Mladiq, i cili ishte vendosur në vitin 2021 në një mur të një objekti në qytetin e Zveçanit, vazhdon edhe sot të jetë në të njëjtin vend, përveçse i njëjti është ngjyrosur me të zezë në pjesën e syve.
Ky mural i të dënuarit me burgim të përjetshëm për krime lufte në Srebrenicë ishte lartësuar në këtë pjesë në veri të Kosovës, në vitin 2021.
Mos largimin e këtij murali sot e asaj dite nga qendra e Zveçanit, Kryetari Ilir Peci e arsyeton me faktin se po ta largonte do të krijoheshin tensione.
“Nuk e kemi marrë atë vendim për arsye që edhe ju i dini, e i din krejt Kosova. Nëse e kisha marrë një vendim të tillë deri sot, sigurisht kish ndodh ndonjë lapsus, qysh ka ndodhë për gjëra të imëta e lëre më për këtë. Pra, që mos me ardh deri te ndonjë protestë apo diçka e ngjashme”, tha ai.
Për këtë çështje, Kryetari “i drejton gishtin” Qeverisë së Kosovës.
“Në momentin që e kam marrë mandatit, e kam lajmëru Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për të gjitha janë të njoftuar me kohë. Edhe ata munden me marrë vendime më të lehta se sa Kryetari i Komunës”- tha ai.
Peci tutje tha se vendimi për largimin apo mos largimin e simboleve përçarëse, përmendoreve, muralit në fjalë e emërtimit të rrugëve pa ngjyrime politike, do të merret në muajin e ardhshëm.
“Kemi pasë takim (më 17.04.2025) me sekretarin e Ministrit të Pushtetit Lokal për emërtimin e rrugëve këtu në Komunën e Zveçanit. Në momentin që do të vendosen për të gjitha, patjetër që edhe për këtë komisioni do ta bie një vendim, me largu (muralin) apo çka komisioni e vendos. Besoj që deri në fund të muajit të ardhshëm do të vendosen të gjitha”, tha Peci.
Kryetari thotë se deri më tani ka pritur Qeverinë të merr masa. Sipas tij, nëse në vijim nuk do të ndërmerr asgjë Qeveria, do ta formojë vetë komisionin dhe do të fillojë me procedura.
Në anën tjetër, Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale, Mitrovicë- Veri tha për KALLXO.com se Policia nuk ka hapur rast për vendosjen e këtij murali.
“Nuk kemi hapur rast, as nuk jemi marrë me murale. Ato janë çështje të Komunës”, tha Elshani.
Ndërsa për ngjyrosjen (shkarravitjen) e këtij muralit të Ratko Mladiq, ai thotë se nuk kanë informata se kush e ka bërë.
Në nëntor të vitin 2021 u mbajt një protestë e madje u arrestuan edhe dy aktiviste- qytetare të cilat kundërshtonin vendosjen e një murali në qendër të Beogradit me figurën e kriminelit të luftës në Bosnje, Ratko Mladiq.
Mladiq ishte lartësuar në Zveçan pasi që murali me figurën e tij ishte vendosur përballë objektit të Komunës e madje zona është e frekuentuar vazhdimisht nga banorët.
Kryeministri Albin Kurti asokohe pasi u pyet nga gazetarët në lidhje me këtë çështje kishte thënë se nuk është në dijeni se gjenden murale të tilla në ndonjë vend të Kosovës.
“Ratko Mladiq është kriminel lufte i cili është përgjegjësi kryesor për gjenocidin në Srebrenicë dhe unë besoj që jo vetëm në Kosovë por në asnjë vend të botës nuk do të duhej të afirmohej apo glorifikohej (lartësohet) dhe padyshim që në përputhje me këtë, do të duhej të veprojnë mekanizmat shtetëror dhe organet e rendit”, kishte thënë Kurti.
“Unë nuk mund ta di tash se në cilat qytete ndodhen por kushdo që e di duhet t’i tregojë Policisë së Kosovës”, shtonte Kurti.
Në anën tjetër, Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kishte reaguar për vendosjen e muralit në Beograd.
“Në qendër të Beogradit ekziston një simbol i mbështetjes së regjimit të Vuçiqit për të dënuarin për krime lufte Ratko Mladiq. Kjo është një fyerje ndaj kujtimit dhe dinjitetit të viktimave të këtij krimineli lufte. Pa u marrë me të kaluarën, Serbia do të mbajë gjithmonë gjeneralë gjenocidalë si heronj të saj”, kishte shkruar Vela.
Më 13 nëntor 2021 në Beograd organizata të ndryshme joqeveritare, aktivistë të të drejtave të njeriut e shumë qytetarë protestuan duke kërkuar heqjen e muralit kushtuar kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mladiq, që ishte vendosur në një fasadë në qendër të kryeqytetit serb.
Ratko Mladiqit i ishte konfirmuar dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë për krimet e kryera në Srebrenicë.
Mladiq ka qenë komandant i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës serbe nga 12 maj 1992 deri të paktën më 8 nëntor 1996.
Ai u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.
Mladiq ishte dënuar me burg të përjetshëm në vitin 2017 për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës. Gjatë këtij viti ishte konfirmuar dënimi ndaj të njëjtit.
Procesi kundër Ratko Mladiq kishte nisur në maj të vitit 2012. Ai për 16 vite ishte në arrati ndërsa ishte arrestuar në maj të vitit 2011 në Serbi.
Për dënimin e kriminelit të luftës, patën reaguar edhe krerë të institucioneve të Kosovës.
Ndërsa, më 21.05.2024, Gjykata e OKB-së për krimet e luftës hodhi poshtë një kërkesë të ish-kreut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mladiq për lirimin e parakohshëm të tij për arsye humanitare ose për ta lejuar atë të vazhdojë ta vuajë dënimin me burgim të përjetshëm në Serbi.
Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare kishte refuzuar kërkesën e Ratko Mladiqit, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte, për lirim të përkohshëm në Serbi për arsye humanitare për shkak të shëndetit të tij të dobët.
Në një vendim të marrë më 31 maj, por të publikuar në faqen e internetit të gjykatës së krimeve të luftës me bazë në Hagë, ajo hodhi poshtë gjithashtu kërkesën e Mladiqit për ta vuajtur pjesën tjetër të dënimit në Serbi. /Kallxo.com/


