Muja: Të gjitha pronat që i takojnë shtetit do t’i kthehen shtetit
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka njoftuar se sot ka nisur rrënimi i objekteve të ndërtuara në pronën që i takon Ministrisë së Bujqësisë.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Muja e ka cilësuar këtë veprim si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të pronës publike në funksion të qytetarëve dhe interesit shtetëror.
“Sot kemi filluar rrënimin e objekteve të ndërtuara në pronën që i takon Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ky është një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të pronës publike në funksion të qytetarëve dhe interesit shtetëror. Në këtë hapësirë do të krijohet një zonë e gjelbërimi, si dhe do të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, një projekt që i shërben zhvillimit institucional dhe urban të vendit tonë", ka shkruar Muja.
Ai ndër të tjera ka shkruar se: "Dua të jem shumë i qartë: të gjitha pronat që i takojnë shtetit do t’i kthehen shtetit. Nuk do të ketë kompromis me uzurpimet, ndërtimet pa të drejtë dhe shfrytëzimin e paligjshëm të pronës publike. Institucionet e Republikës së Kosovës do të veprojnë me vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të mbrojtur interesin publik dhe për të garantuar që prona shtetërore të administrohet në dobi të qytetarëve tanë". /Telegrafi/


