Muçi flet për dy ndeshjet e muajit mars me Shqipërinë si dhe kalimin te Besiktasi
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi ka gjetur një atmosferë shumë të mirë në këtë grumbullim të parë të Kombëtares për vitin 2024.
Djaloshi kuqezi i konsideroi shumë të rëndësishme këto dy ndeshje ndaj Kilit dhe Suedisë, ndërsa u shpreh se skuadra mezi pret të zbresë në fushë dhe të tregojë vlerat e saj.
Ndër të tjera, Muçi foli edhe për një vend në listën e 23 lojtarëve të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Evropian, ndërsa nuk la pa përshëndetur edhe tifozët e Kombëtares.
Në fund, sulmuesi kuqezi bëri edhe një thirrje për lojtarin e 12-të të skuadrës.
Atmosfera në Kombëtare – Atmosfera është shumë e mirë. Ka qenë gjatë gjithë kualifikuese, një atmosferë fantastike me këtë grup. Jemi shumë të lidhur së bashku dhe një grup shumë i mirë. Evropiani? – Nuk e kam menduar. Dua të bëj mirë me klubin dhe në këto dy miqësore, që janë shumë të rëndësishme. Janë dy ekipe shumë të mëdha dhe mezi po pres t’i luajmë dhe të tregojmë veten të gjithë.
Gati për më shumë përgjegjësi? – Jam gati, por e vendos trajneri se kush luan. Duhet të punoj akoma edhe më fort. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe kam pasur minuta. Shpresoj të bëjmë sa më mirë në këto dy miqësore dhe të tregojmë veten që jemi gati për një rol më të madh në Kombëtare.
Sa ndikim do të kenë dy miqësoret për ndeshjet përfundimtare? – Nuk di të them sa ndikim do të kenë, por për ne si ekip janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për të qenë sa më gati për Evropianin. Janë dy ndeshje që luhen jashtë, besoj që tifozët do të vijnë edhe në Itali edhe në Suedi. I mirëpresim dhe jemi gati të bëjmë dy ndeshje shumë të mira për ta dhe për ne si ekip, që të tregojmë që jemi gati.
Mbështetja e tifozëve – E kam ndjerë që tifozët na mbështesin jo vetem mua, por të gjithë lojtarët. Pritshmëritë janë aty, duhet të bëjmë më të mirën, të stërvitemi dhe në këto miqësore të luajmë sa më mirë dhe të tregojmë veten. Uroj të marrim rezultate sa më të mira në këto ndeshje. Edhe në kualifikuese, brenda apo jashtë vendit, stadiumet ka qenë plot me tifozë. Na kanë mbështetur shumë dhe besoj se dhe në këto dy ndeshje do jenë aty për ne. I ftoj të jenë në stadium dhe të na mbështesin. Do bëjmë më të mirën në mënyrë që tifozët të ndihen që kanë një ekip shumë të denjë për Evropian.
Për kë flitet më shumë në Turqi, Manaj apo Muçi? – Nuk e di, por më e mira është që po flitet për ne që jemi nga Shqipëria. Kjo është diçka e mirë.


