Mrekulli në Kazakistan, Dinamo përmbys Astanën dhe siguron kualifikimin në Ligën e Konferencës
Dinamo e drejtuar nga Ilir Daja ka realizuar një përmbysje të jashtëzakonshme në Kazakistan, duke mposhtur Astanën me rezultat 4-1 dhe duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër të Ligës së Konferencës.
Pas humbjes 0-1 në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”, Dinamo udhëtoi drejt Kazakistanit me misionin për të përmbysur gjithçka dhe ia doli në mënyrën më dramatike të mundshme.
Ndeshja nisi keq për ekipin shqiptar, pasi Astana kaloi në epërsi në minutën e 24-t me anë të Bauyrzhan Islamkhan, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Me këtë rezultat, vendasit ishin pranë kalimit tutje, por Dinamo nuk u dorëzua.
Në pjesën e dytë erdhi reagimi i madh i skuadrës së Ilir Dajës. Në minutën e 48-të, Astana mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Kazukolovas, i cili shkaktoi edhe një penallti. Nga pika e bardhë, Bruno Dita barazoi rezultatin në minutën e 50-të, duke rikthyer shpresën për Dinamon.
Vetëm 11 minuta më vonë, erdhi përmbysja e madhe. Hekuran Berisha realizoi golin e dytë për Dinamon në minutën e 61-të, duke e vendosur skuadrën shqiptare në avantazh dhe duke e çuar ndeshjen drejt emocioneve të mëdha.
Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-2, që nënkuptonte vazhdimin e sfidës në shtesë. Por Dinamo kishte ruajtur edhe më shumë energji për minutat vendimtare.
Në minutën e 93-të, Lorenc Vila shënoi golin e tretë për ekipin shqiptar, duke sjellë festë të madhe në kampin e Dinamos.
Kur gjithçka dukej e vendosur, Mustapha Koma vulosi mrekullinë në minutën e 124-t, duke shënuar golin e katërt dhe duke siguruar një kualifikim historik.
Me rezultatin përfundimtar, skuadra e Ilir Dajës kalon në raundin tjetër të Ligës së Konferencës pas një nate dramatike, ku tregoi karakter, forcë dhe mentalitet përmbysjeje. Një natë që do të mbahet mend gjatë për klubin kryeqytetas dhe futbollin shqiptar. /Telegrafi/


