Motoçiklisti që i preku frenat kolegut, Romano Fenati tërhiqet nga motoçiklizmi
Romano Fenati, motoçiklisti i cili ia preku frenat kolegut Stefano Manzi derisa po lëviznin me shpejtësi të madhe gjatë garës San Marino Moto2, është tërhequr nga motoçiklizmi.
Fatmirësisht, kundërshtari tij nuk e humbi kontrollin dhe vazhdoi ta ngiste motoçikletën, përkundër reagimit të papritur nga rivali.
“Nuk do të garoj më kurrë. Bota e motorëve nuk më përket më, ka shumë padrejtësi. Pranoj që gabova dhe u kërkoj falje të gjithëve”, janë fjalët e Fenatit për gazetën La Reppublica.
Pasi u përjashtua nga gara dhe u dënua me dy gara të tjera pezullim, skuadra e tij aktuale i prishi kontratën, ndërsa ekipi i tij i ardhshëm njoftoi se nuk do ta merrte në gjirin e tij një pilot të tillë.
Pas gjithë këtyre ngjarjeve, Fenati vendosi të tërhiqej nga motoçiklizmi, transmeton Top Channel.
“Shikoni kostumin dhe kaskën time. Kanë shenjat e gomës së Manzit. Më sulmoi tri herë dhe mund të më kishte vrarë".
"Prandaj vendosa të sillesha në të njëjtën mënyrë dhe t’i tregoja që edhe unë mund të bëhesha i keq. Por, në asnjë moment nuk doja ta lëndoja, betohem”, e ka shpjeguar 22-vjeçari veprimin e tij.


