Mos besoni gjithçka që shihni në internet
Një fotografi jo vërtet e një “fantazme” duke shëtitur në Prishtinë u shpërnda me shpejtësi në rrjete sociale, përfundoi në disa media online dhe u kthye në temë debati publik.
Imazhi, i krijuar me inteligjencë artificiale, Photoshop apo montazh, nuk ishte real, por ndikimi i tij ishte.
Pa asnjë verifikim, pa burim dhe pa konfirmim zyrtar, një imazh i pavërtetë krijoi hutim, shqetësim dhe madje panik, sidomos te fëmijët dhe prindërit.
Kjo tregoi se sa lehtë mund të manipulohet opinioni publik dhe sa shpejt dështojnë filtrat bazë të informimit në gazetari.
Raste të tilla rikthejnë në vëmendje rrezikun e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe nevojën urgjente për edukim medial.
Në një kohë kur imazhet dhe videot po bëhen gjithnjë e më bindëse, verifikimi para shpërndarjes nuk është më zgjedhje, është përgjegjësi.
Kjo ishte një “fantazmë”. Nesër mund të jetë diçka shumë më serioze.
Prandaj, para se të besoni apo të shpërndani një lajm: verifikoni burimin, autorin dhe median.
Thjesht, verifikoni. Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.
Raportimi në disa media për një “fantazmë” që “shëtitet” nëpër rrugët e Kosovës është i pasaktë, pasi që bëhet fjalë për një përmbajtje të gjeneruar nëpërmjet Inteligjencës Artificiale (AI).
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me këto përmbajtje.
“Mediat duhet të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik”, thuhet në reagimin e KMShK-së me datën 12 janar.
KMShK bën thirrje që raportimet të bëhen kujdesshëm, të jenë korrekte dhe të bazuara në Kodin e Etikës./Telegrafi/.


