Momentet më ikonike të Messit, teksa ylli argjentinas mendon për pensionimin
Lionel Messi po mendon për të ardhmen e tij në futboll pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Jorge.
Sulmuesi 39-vjeçar i Argjentinës është nën kontratë me Inter Miamin deri në vitin 2028, por në një homazh emocionues për babanë e tij la të kuptohet se fundi i karrierës mund të jetë më pranë se sa mendohej.
“Nuk e di si të vazhdoj. Dikur thjesht luaja futboll, ndërsa tani nuk jam aspak i sigurt nëse do të vazhdoj ta bëj për shumë gjatë”, u shpreh Messi.
Me 921 gola të realizuar për Barcelonën, Paris Saint-Germain, Inter Miamin dhe Argjentinën, Messi ka ndërtuar një nga karrierat më të jashtëzakonshme në historinë e sportit.
Hat-tricku i parë si adoleshent – El Clasico
Hat-tricku i parë i Messit në karrierë erdhi në një nga ndeshjet më të mëdha të futbollit: El Clasico.
Më 10 mars 2007, në moshën vetëm 19-vjeçare, Messi shënoi të tre golat e Barcelonës në barazimin 3-3 ndaj Real Madridit. Ishte gjithashtu hat-tricku i tij i parë në Camp Nou.
Goli i tretë, i realizuar në minutat e fundit pas një aksioni individual dhe driblimit të disa kundërshtarëve, ishte momenti kur Messi nisi të bëhej një emër i njohur në mbarë botën.
Goli që riktheu në kujtesë Maradonën
Pak më shumë se një muaj më vonë, Messi shënoi një nga golat më të bukur të karrierës së tij.
Në fitoren 5-2 ndaj Getafes në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit, më 18 prill 2007, argjentinasi mori topin në gjysmëfushën e tij, kaloi rreth pesë kundërshtarë, dribloi portierin dhe e dërgoi topin në rrjetë.
Goli ngjalli menjëherë krahasime me realizimin legjendar të Diego Maradonës ndaj Anglisë në Kupën e Botës 1986.
Goli i parë në një finale të Ligës së Kampionëve
Në vitin 2009, disa kritikë ende pyesnin nëse Messi mund të shkëlqente ndaj skuadrave angleze në Evropë.
Përgjigjja erdhi në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Manchester United.
Messi u ngrit mbi mbrojtësit dhe me kokë shënoi pas asistimit të Xavi Hernandez.
Ishte finalja e parë e Ligës së Kampionëve ku përballë tij ishte Cristiano Ronaldo, në atë që u konsiderua si fillimi i një prej rivaliteteve më të mëdha individuale në historinë e futbollit.
Dy vite më vonë, Messi do të shënonte sërish ndaj Manchester United në një tjetër finale të fituar nga Barcelona.
Katër gola ndaj Arsenalit
Në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve të sezonit 2009/10, Messi realizoi katër gola në fitoren 4-1 të Barcelonës ndaj Arsenalit.
Goli i tretë ishte veçanërisht spektakolar, me argjentinasin që kaloi portierin Manuel Almunia me një parabollë të mrekullueshme.
Dy vite më vonë, ai do të shënonte edhe pesë gola në fitoren 7-1 ndaj Bayer Leverkusenit.
Messi aktualisht është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Ligës së Kampionëve, me 129 gola, pas Cristiano Ronaldos.
Rekordi i golave të Barcelonës
Në moshën vetëm 24-vjeçare, Messi theu rekordin e golave të Barcelonës.
Më 20 mars 2012, ai realizoi hat-trick në fitoren 5-3 ndaj Granadës. Me golin e parë barazoi rekordin e Cesar Rodriguez prej 232 golash, me të dytin e theu atë, ndërsa me të tretin e zgjeroi më tej.
Kur u largua nga Barcelona në vitin 2021, Messi e kishte çuar rekordin në 672 gola.
91 gola në një vit – një rekord i jashtëzakonshëm
Viti 2012 mbetet një nga kapitujt më të pabesueshëm të karrierës së tij.
Messi shënoi 91 gola në një vit kalendarik – 79 me Barcelonën dhe 12 me Argjentinën, në vetëm 69 ndeshje.
Më 22 dhjetor 2012, ai shënoi golin e 91-të në fitoren 3-1 të Barcelonës ndaj Valladolidit, duke hyrë në Librin e Rekordeve Guinness.
Ky sezon i jashtëzakonshëm i siguroi edhe një tjetër Top të Artë, të katërtin radhazi.
Rekordi i La Ligës
Më 22 nëntor 2014, Messi realizoi një tjetër hat-trick, këtë herë në fitoren 5-1 ndaj Sevillas.
Me golin e parë barazoi rekordin e Telmo Zarrës prej 251 golash në La Liga, përpara se ta thyente atë me golin e dytë dhe ta zgjeronte rekordin me të tretin.
Në fund të karrierës së tij në Spanjë, Messi kishte realizuar 474 gola në La Liga, shumë përpara Cristiano Ronaldos me 311.
Goli i 500-të me Barcelonën – sërish në El Clasico
Më 23 prill 2017, në fitoren 3-2 të Barcelonës ndaj Real Madridit në Santiago Bernabeu, Messi shënoi një nga golat më ikonë të karrierës.
Në minutat shtesë, ai goditi saktë nga jashtë zonës për t'i dhënë Barcelonës fitoren.
Ishte goli i tij i 500-të me fanellën e Barcelonës dhe, për më tepër, erdhi në El Clasico.
Festimi i tij mbeti po aq i paharrueshëm: Messi hoqi fanellën dhe e ngriti përpara tifozëve të Real Madridit, duke treguar emrin dhe numrin e tij.
Lotët e ndarjes nga Barcelona
Në gusht 2021 ndodhi e paimagjinueshmja: Messi u largua nga Barcelona pas 21 vitesh, 672 golash dhe 35 trofesh.
Klubi nuk ishte në gjendje të regjistronte kontratën e re të dakorduar me të për shkak të kufizimeve financiare të La Ligës.
Në konferencën e lamtumirës, një Messi i përlotur pranoi se familja e tij ishte e bindur se do të qëndronte në Barcelonë.
“Nuk dua të largohem nga ky klub. Është një klub që e dua dhe ky është një moment që nuk e prisja”, tha ai.
Pavarësisht interesimit nga Manchester City, Messi përfundoi te Paris Saint-Germain.
Trofeu i parë madhor me Argjentinën
Pas shumë zhgënjimeve me kombëtaren, më 11 korrik 2021 Messi më në fund fitoi trofeun e parë madhor me Argjentinën.
Në finalen e Copa America në Maracana, Argjentina mposhti Brazilin 1-0, ndërsa Messi u shpall lojtari më i mirë i turneut pasi shënoi katër gola.
Pas vërshëllimës së fundit, ai u shtri në fushë i emocionuar dhe më pas u ngrit në ajër nga shokët e skuadrës.
Tre vite më vonë, Messi fitoi edhe një tjetër Copa America.
Triumfi në Kupën e Botës
Por trofeu që i mungonte më shumë ishte ai i Kupës së Botës.
Messi e kishte provuar edhe më parë, madje kishte njoftuar përkohësisht tërheqjen nga kombëtarja, por në Katar 2022 ai realizoi ëndrrën.
Në një nga finalet më spektakolare të historisë së Kupës së Botës, Argjentina mposhti Francën pas penalltive, pas barazimit 3-3 në kohën e rregullt dhe shtesë.
Messi shënoi dy gola në finale dhe realizoi edhe penalltinë e tij në seri. Në total, ai shënoi shtatë gola në turne, duke realizuar në çdo raund të fazës me eliminim direkt.
Ai u shpall gjithashtu lojtari më i mirë i Kupës së Botës.
Topi i Artë i tetë
Pas largimit nga Barcelona, Messi fitoi edhe dy Topa të Artë të tjerë – një me Paris Saint-Germain dhe një me Inter Miami.
Në tetor 2023, ai fitoi Topin e Artë për herë të tetë, pas triumfit në Kupën e Botës dhe suksesit me Inter Miamin në Leagues Cup, trofeu i parë në historinë e klubit.
“Nuk mund ta imagjinoja se do të kisha një karrierë të tillë dhe gjithçka që kam arritur”, deklaroi Messi.
Golashënuesi i Kupës së Botës – për pak kohë
Nëse Kupa e Botës 2026 ishte turneu i fundit i Messit, ai u largua nga skena më e madhe e futbollit me një tjetër paraqitje të paharrueshme.
Me tetë gola në turne, Messi e çoi shifrën e tij në Kupën e Botës në 21, duke u bërë përkohësisht golashënuesi më i mirë në historinë e kompeticionit.
Më pas, Kylian Mbappe e kaloi atë, duke arritur në 22 gola në ndeshjen për vendin e tretë, të cilën Franca e humbi ndaj Anglisë.
Në moshën 39-vjeçare, aventura e Messit në Kupën e Botës përfundoi me zhgënjim, pasi Argjentina u mposht nga Spanja në finale.
Por, edhe një herë, ai la pas një tjetër kapitull të paharrueshëm në skenën më të madhe të futbollit.
Nga një adoleshent që mahniti botën në El Clasico, te kampioni i botës dhe fituesi rekord i tetë Topave të Artë, Lionel Messi e ka shndërruar karrierën e tij në një histori që vështirë se do të përsëritet. /Telegrafi/


