Please enter at least 3 characters.

Mjedisi financiar ndërkombëtar dhe implikimet për ekonomitë, guvernatori Ismaili takon Tobias Adrian

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur në takim Krye-Këshilltarin Financiar dhe Drejtorin e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Tobias Adrian.

Në njoftimin e BQK-së bëhet e ditur se në takim u diskutuan zhvillimet kryesore në sektorin financiar, prioritetet strategjike të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar në fusha me rëndësi për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe avancimin e reformave institucionale.

“Guvernatori Ismaili e informoi Adrianin për ecurinë e sektorit financiar në Kosovë, duke theksuar se sektori mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe me performancë të qëndrueshme. Në këtë kontekst, u veçua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, zbatimit të politikave makroprudenciale, si dhe përafrimit të vazhdueshëm me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua zbatimit të Planit Strategjik të BQK-së, si kornizë orientuese për reformat institucionale dhe modernizimin e sektorit financiar. Në këtë kuadër, u diskutuan prioritetet që lidhen me modernizimin e sistemeve të pagesave, digjitalizimin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, forcimin e qeverisjes institucionale, zhvillimin e kapaciteteve dhe avancimin e mëtejshëm të tregjeve financiare”, thuhet në njoftim.

Guvernatori Ismaili dhe Adrian shkëmbyen pikëpamje edhe mbi zhvillimet aktuale në mjedisin financiar ndërkombëtar dhe implikimet e tyre për ekonomitë e vogla dhe të hapura, me theks të veçantë në rëndësinë e politikave të kujdesshme, mbikëqyrjes efektive dhe qëndrueshmërisë institucionale në përballjen me rreziqet e reja dhe pasiguritë globale.

Në përmbyllje të takimit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, përfshirë përmes asistencës teknike, këshillimit profesional dhe dialogut të rregullt në fusha kyçe si stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale, qeverisja institucionale dhe zhvillimi i kapaciteteve.

Ai ritheksoi përkushtimin e BQK-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me FMN-në, në funksion të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar, rritjes së qëndrueshmërisë institucionale dhe avancimit të sektorit financiar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe procesin e integrimit evropian.

Vizita e z. Adrian në Kosovë lidhet me pjesëmarrjen e tij në Konferencën Rajonale të nivelit të lartë “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

Konferenca mbledh përfaqësues të lartë të bankave qendrore, institucioneve financiare dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet aktuale në fushën e kripto-aseteve, parasë digjitale, rregullimit financiar dhe prioritetet strategjike për stabilitetin dhe modernizimin e sektorit financiar. /Telegrafi/