Miratohet Rregullorja për pronësinë dhe koncentrimin e mediave, parandalon monopolin dhe dominimin në treg
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), të enjten, në mbledhjen e 12-të, ka miratuar Rregulloren për pronësinë dhe koncentrimin e mediave të licencuarve.
Kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti ka thënë se kjo Rregullore, e cila u miratuar pe herë të parë, ka për qëllim vendosjen e standardeve lidhur me pluralizmin dhe diversitetin mediatik si dhe transparencën në pronësinë e mediave.
Po ashtu, kjo rregullore ka për qëllim edhe zhvillimin dhe promovimin e lirisë së shprehjes, ruajtjen e pavarësisë editoriale dhe të drejtën e informimit objektiv, duke përcaktuar rregullat për koncentrimin e pronësisë në media, parandalimin e monopolit, ndalimin e dominimit dhe presionit mbi mediumet, në harmoni me legjislacionin vendor si dhe praktikat më të mira evropiane.
Ndër të tjera, sipas kësaj rregulloreje, një person fizik ose juridik që ka një licencë audiovizuele me karakter gjenralistik, mund të marrë vetëm edhe një licencë transmetimi audio dhe anasjelltas.
Po ashtu, me këtë rregullore ndalohet shkrirja ose bashkimi i dy ose më shumë ofruesve të shërbimit mediale në nivel nacional.
Gjithnjë sipas rregullores, asnjë i licencuar nuk mund të transmetojë më shumë se 30% të vlerës së tregut të përgjithshëm medial të komunikimeve komerciale audiovizuele.
Tutje, thuhet se personi fizik ose juridik i cili ka licencë në nivel nacional nuk mund të ketë edhe një pjesë të aksioneve që tejkalojnë 10% të kapitalit në një agjenci lajmesh që zhvillon aktivitete në fushën e mediave dhe anasjelltas.
Ndërkaq, sa i përket pronësisë së huaj, sipas kësaj rregullore lejohet vetëm në rastin e kompanive komerciale të regjistruara ligjërisht në Republikën e Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, e po ashtu rregullat mbi koncentrimin vlejnë edhe për personat fizik ose juridik të huaj.
Në këtë mbledhje KPM ka miratuar edhe rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në shërbimet medial audio dhe audiovizuele, ku ndër të tjera përfshihet edhe kodimi i programeve “Reality Shoë”.
Gjithashtu, KPM miratoi edhe Rregulloren për komunikimet komerciale audio dhe audiovizuele.
Në lidhje me këto rregullore, fillimisht Mehmeti tha se të njëjtat i ka përmendur edhe Raporti i Progresit, si mangësi për disa vite me radhë.


