Ministria e Drejtësisë: Lirimi i Mefail dhe Edonis Shkodrës nga paraburgimi, neglizhencë e rëndë institucionale
Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Gjilan, ku humbën jetën tre qytetarë, duke e cilësuar të papranueshëm vendimin e mëhershëm për lirimin e dy të dyshuarve, Mefail dhe Edonis Shkodra, të cilët aktualisht ndodhen në arrati.
Sipas Ministrisë, të dy të dyshuarit kishin qenë më herët në paraburgim dhe u liruan me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ndaj tyre po zhvilloheshin hetime për vepra të rënda penale, si fajde dhe detyrim.
"Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme," thuhet në reagim, ku i bëhet thirrje Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në rast.
Ministria ka theksuar se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për garantimin e sigurisë dhe të ardhmes së qytetarëve, duke u bërë thirrje forcave politike që të ndalin pengesat ndaj saj.
"Drejtësia nuk është pronë e askujt. Pa drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale", përfundon reagimi i Ministrisë së Drejtësisë./Telegrafi/


