Please enter at least 3 characters.

Melania me lëkurë gjarpri, Camilla me çantë 3.900 euro: Detajet që ranë në sy në Shtëpinë e Bardhë

Nga kompleti i verdhë gjalpi i zonjës së parë, te stolitë me histori mbretërore të Camilla, takimi në Washington u kthye edhe në duel elegance

Zonja e parë e ShBA-së dhe bashkëshortja e Mbretit Charles u takuan dje në Shtëpinë e Bardhë në Washington, gjatë ditës së parë të vizitës së mysafirëve të nderuar nga Britania e Madhe. Monarku britanik udhëtoi për herë të parë për vizitë shtetërore në Amerikë që nga kurorëzimi i tij si mbret më 2023. Melania dhe Donald Trump kishin qëndruar në Londër para shtatë muajsh.

Me padurim pritej të mësohej se çfarë do të vishte Melania Trump për takimin me Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla. Është interesante se edhe këtë herë ajo zgjodhi një komplet elegant, kombinim të xhaketës dhe fundit me prerje të drejtë, sepse një lidhje të tillë mode e kishte veshur edhe gjatë takimit me bashkëshorten e monarkut britanik, në shtator 2025, në Londër, transmeton Telegrafi.

Melania Trump me komplet të verdhë gjalpi dhe këpucë me lëkurë gjarpri

Dallimi qëndron në faktin se vitin e kaluar kishte zgjedhur një kombinim veshjeje prej lëkure, ndërsa dje veshi një komplet nga material më i lehtë, në ngjyrë të verdhë gjalpi. Pas etiketës qëndron brendi amerikan Adam Lippes.

I dukshëm ishte edhe mungesa e një detaji: kapelës. Këtë lloj aksesori e kishte mbajtur gjatë vizitës në Britani më 2025, gjë që u interpretua si shenjë respekti ndaj traditës britanike të modës. Por me një kapelë shumë të madhe ishte shfaqur edhe në inaugurimin e bashkëshortit të saj, Donald Trump, në janar të vitit të kaluar në Washington.

Edhe pse disa u habitën pse dje nuk kishte vënë kapelë, njohësit e modës këtë as që e prisnin.

Vëmendje të madhe tërhoqën këpucët elegante Manolo Blahnik, me të cilat e plotësoi paraqitjen. Këpucët janë punuar nga lëkurë gjarpri dhe përfunduan si ylli kryesor i kësaj fotografie, bashkë me këpucët që kishte zgjedhur Camilla.

Zonja e parë e ShBA-së i adhuron këpucët e kësaj shtëpie ikonike mode dhe së fundmi ka mbajtur edhe një model të tillë.

Melania Trump u përshëndet përzemërsisht me bashkëshorten e mbretit britanik, ndërsa puthja e saj me Charles pati jehonë edhe më të madhe.

Paraqitja e modës e Mbretëreshës Camilla: Diçka e parë më herët, diçka e re dhe çanta e thurur si luks i heshtur

Bashkëshortja e mbretit britanik u paraqit dje me dy veshje. Në Washington mbërriti me një fustan të ri Dior, në ngjyrë rozë të butë. Për këtë paraqitje mori komplimente.

Ajo veshi këpucë elegante me taka të brendit Eliot Zed, të cilat i kishte mbajtur edhe më parë. Me kujdes zgjodhi edhe stolitë: vendosi një byzylyk Van Cleef & Arpels, të cilin po ashtu e kishte zgjedhur më parë për ngjarje publike, si dhe vathë që i kishte mbajtur në dasmën me Charles më 2005, në Londër. Interesimin më të madh e tërhoqi karfica Cartier me flamujt e Amerikës dhe Britanisë së Madhe, të cilën Mbretëresha Elizabeth e kishte marrë dhuratë gjatë vizitës së saj në ShBA më 1964.

Adhuruesve të modës nuk u shpëtoi as çanta e thurur, të cilën mbretëresha e mban shpesh. Bëhet fjalë për modelin Bottega Veneta, në ngjyrë neutrale. Ajo shpesh e zgjedh këtë çantë për ngjarje ditore, sepse dallohet për teksturën diskrete dhe mungesën e logove të mëdha. Detaji i përket luksit të heshtur dhe Camilla nuk hoqi dorë nga ky aksesor as dje, edhe pse modele të ngjashme fustanesh ka ditur t’i kombinojë me çanta më të vogla Dior.

Çmimi i çantës së thurur që Camilla e mori edhe në Shtëpinë e Bardhë, ku u takua me Melania dhe Donald Trump, është 3.900 euro.

Për mbërritjen në Shtëpinë e Bardhë ajo veshi një fustan të bardhë Anna Valentine. Shumë herë e kemi parë me fustane të ngjashme, ndërsa paraqitja e saj e djeshme kujton shumë veshjen e vitit të kaluar, të cilën e mbajti kur priti Melania në Londër. Karficën Cartier nuk e hoqi, ndërsa edhe këtë herë eci me këpucë elegante në nuancë neutrale.

Melania Trump është ikonë botërore e stilit dhe nuk është e lehtë t’i bësh ballë në këtë aspekt, por Camilla dukej shumë elegante, pa dalë nga mënyra e saj e njohur e veshjes.

Gjatë takimit të djeshëm u veçua edhe një detaj. Melania Trump këtë muaj, gjatë mandatit të saj si zonjë e parë, ka zgjeruar programin e prodhimit të mjaltit në Shtëpinë e Bardhë duke shtuar një koshere të re, të cilën dje ua tregoi Camilla dhe Charles.

Si i komentoni paraqitjet e modës të Melania Trump dhe Camilla? /Telegrafi/