Please enter at least 3 characters.

‘Më mungon zëri dhe përqafimi yt’, Elijona kujton nënën dhe motrën në pesëvjetorin e tragjedisë

Kanë kaluar pesë vite nga aksidenti i rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë, ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë shqiptarë.

Në këtë përvjetor të dhimbshëm, Elijona ka ndarë një mesazh prekës për të kujtuar nënën dhe motrën e saj, Lindën, të cilat u ndanë nga jeta më 25 korrik 2021.

Elijona, e cila ishte vetëm 14 vjeçe në momentin e tragjedisë, ka rrëfyer përmes një dedikimi në rrjetet sociale dhimbjen e madhe që vazhdon ta shoqërojë dhe mungesën e pazëvendësueshme të dy personave më të rëndësishëm në jetën e saj.

Sot, në moshën 19-vjeçare, ajo kujton se ka arritur të njëjtën moshë që kishte motra e saj, Linda, kur humbi jetën tragjikisht. Elijona ka theksuar se vetëm tani arrin ta kuptojë më mirë sa e re ishte motra e saj dhe sa shumë ëndrra e plane kishte ende përpara.

“Isha vetëm 14 vjeçe kur ju humba. Sot jam 19 vjeçe… po aq sa ishe ti Linda, kur jeta jote u ndërpre. Sot e kuptoj edhe më shumë sa e re ishe. Ti kishe vetëm 19 vjeçe, me aq shumë ëndrra, plane dhe momente që ende nuk i kishe jetuar”, ka shkruar ajo.

Në mesazhin e saj, Elijona ka treguar se kujtimi i nënës dhe motrës është forca që e ndihmon të vazhdojë përpara.

Ajo është shprehur se çdo arritje dhe çdo përpjekje në jetë ua dedikon atyre, me shpresën se po i bën krenare nga lart.

Në fund të dedikimit, Elijona ka përkujtuar edhe tetë viktimat e tjera të aksidentit tragjik, duke shprehur lutje dhe mbështetje për familjet që humbën të dashurit e tyre në atë ditë të rëndë. /Telegrafi/