Please enter at least 3 characters.

Me gurë oniks të rrallë dhe një fasadë historike, brenda çdo cepi të Hotel Dukagjini me Blendi Fefziun

Gjatë një vizite të fundit në qytetin e Pejës, gazetari i njohur Blendi Fevziu u ndal në një prej simboleve më të veçanta të këtij qyteti – Hotelin “Dukagjini”, një objekt që prej dekadash është sinonim i traditës, elegancës dhe historisë.

"Ky është hoteli me gurin e rrallë që ruan fasadën origjinale që prej vitit 1965 në Pejë”, tha Fevziu gjatë vizitës, i shoqëruar nga pronari i hotelit, Korab Lluka, i cili e udhëhoqi në një tur të detajuar në çdo cep të ndërtesës.

Lluka tregoi se pas restaurimit të madh të bërë në vitin 2009 është treguar kujdes i jashtëzakonshëm që të ruhet autenticiteti dhe bukuria origjinale e ndërtesës.

- YouTubewww.youtube.com

“Kjo është fasada origjinale, pasi kur e kemi bërë renovimin kemi pasur kujdes që ta ruajmë atë. Nga ndërtesa e parë është shtuar vetëm një kat e gjysmë. Gurët që e përbëjnë fasadën janë Oniks, të cilët vijnë nga një thellësi prej 30 metrash nën tokë”, shpjegon Lluka.

Në fasadë gjenden gjithashtu gurë të lumit me ngjyra të ndryshme, të cilët i japin ndërtesës një identitet të veçantë arkitektonik.

Fillimisht hoteli është quajtur “Metohia”, që në gjuhën serbe do të thotë “Dukagjini”.

Për t’u rikthyer në shkëlqimin që ka sot, hoteli ka kaluar nëpër një proces të gjatë renovimi që ka zgjatur katër vite, me një kosto totale prej 13 milionë eurosh.

Sot, ai përfaqëson një ndërtesë moderne, por me shpirt tradicional, ku çdo detaj tregon përkushtimin ndaj trashëgimisë.

Lluka tregoi se hoteli përfshin 68 dhoma të kategorive të ndryshme dhe hapësira të gjera shërbyese, ndërsa pjesa e përparme buzë lumit ofron vend për mbi 700 karrige.

“Në pikun e verës, rreth 10 mijë persona hyjnë e dalin çdo ditë nga hoteli”, tha ai.

Lumi që kalon mes për mes qytetit të Pejës dhe rrjedh pranë hotelit vjen nga gryka e Rugovës, një atraksion natyror mahnitës.

“Ky segment i lumit pastrohet rregullisht nga Komuna e Pejës, duke ruajtur pastërtinë dhe pamjen e tij”, tregoi Lluka.

Në ambientet e hotelit ruhet edhe mozaiku i vitit 1956, që paraqet skenën ikonike “Vallja e Rugovës”, një simbol i kulturës dhe shpirtit të kësaj treve.

Hoteli “Dukagjini” shtrihet në një sipërfaqe prej 11 mijë metrash katrorë dhe ofron një gamë të gjerë shërbimesh moderne: spa, fitnes, hamam, sauna dhe pishinë të mbyllur, e cila ndodhet nën nivelin e lumit – një element arkitektonik unikal në rajon.

Në këtë hotel historik kanë qëndruar personalitete të shumta, mes tyre edhe Josip Broz Tito, i cili ka fjetur tri herë radhazi në të njëjtën suitë – një dhomë që sot ruhet me kujdes si pjesë e historisë së hotelit.

/Telegrafi/