Mbreti i Britanisë dhe Papa luten së bashku
Mbreti Charles i Britanisë dhe Papa Leo XIV, u lutën sot në Kapelën Sistine të Vatikanit, në shërbesën e parë të përbashkët midis një monarku anglez dhe një pape katolik që kur Mbreti Henri VIII u nda nga Roma në vitin 1534.
Këngë në latinisht dhe lutje në anglisht jehonin nëpër faltore, në të njëjtin vend ku kardinalët katolikë nga e gjithë bota e kishin zgjedhur Leon si papë gjashtë muaj më parë.
Edhe pse Charles është takuar me tre papët e fundit dhe megjithëse Papa Gjon Pali II dhe Benedikti XVI kanë udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar, këto takime nuk kanë përfshirë lutje të përbashkëta.
Bëhet e ditur se Mbreti dhe Mbretëresha Camilla janë në një vizitë shtetërore në Vatikan.
“Ekziston një ndjesi e fortë se ky moment në mjedisin e jashtëzakonshëm të Kapelës Sistine ofron një lloj shërimi të historisë”, tha prifti anglikan James Hawkey.
Pasdite, Mbreti do të shkojë në Bazilikën Romake të Shën Palit, një nga katër vendet më të nderuara të adhurimit në Kishën Katolike, ku, me miratimin e papës, do t'i jepet titulli i ri "vëlla". /Telegrafi/


