Please enter at least 3 characters.

Mbillini këto 3 bimë në oborr: bletët i duan, grerëzat jo

Nuk bëjnë mrekulli, por gjatë verës mund të ndryshojnë shumë atmosferën rreth tavolinës ku qëndroni më shpesh

Vera nënkupton më shumë kohë në tarracë, në oborr apo në ballkon, por edhe një shqetësim të njohur mirë. Mjafton të nxirrni shalqi, ndonjë ëmbëlsirë apo një gotë lëng dhe shumë shpejt shfaqen grerëzat, të cilat sillen pareshtur rreth tavolinës.

Edhe pse asnjë bimë nuk mund t’i largojë plotësisht, disa lloje aromatike, falë aromës së tyre të fortë, mund ta bëjnë hapësirën më pak tërheqëse për grerëzat dhe grerëzat e mëdha.

Lajmi i mirë është se shumicën prej tyre mund t’i gjeni në treg apo në dyqane lulesh me çmim mjaft të përballueshëm. Përveçse duken bukur dhe përhapin aromë të këndshme, ato janë të dobishme edhe për insektet e vlefshme, siç janë bletët, transmeton Telegrafi.

Menta

Menta është një nga bimët më të njohura për tarraca dhe ballkone. Gjethet e saj janë të pasura me vajra eterike dhe mentol, prandaj besohet se aroma e saj intensive mund t’i largojë grerëzat që kërkojnë ushqim.

Mbilleni në një vazo më të madhe, sepse përhapet shpejt. Nëse herë pas here fërkoni disa gjethe mes gishtave, aroma do të bëhet edhe më e fortë.

Kur lulëzon, menta shndërrohet në një oazë të vogël për bletët dhe bletëzat, të cilat e vizitojnë me dëshirë për nektarin e saj.

Borziloku

Borziloku nuk është i rezervuar vetëm për kuzhinë. Aroma e tij karakteristike përdoret shpesh si një formë natyrale mbrojtjeje në ballkone dhe tarraca, ndërsa shpesh përmendet edhe si bimë që mund të ndihmojë në largimin e mushkonjave.

Ai rritet më mirë në një vend me diell dhe me ujitje të rregullt. Kur fillon të lulëzojë, tërheq një numër të madh bletësh dhe pjalmuesish të tjerë, të cilët kanë rol të rëndësishëm në ruajtjen e bimëve dhe kopshteve.

Livanda

Livanda është ndër bimët më të bukura të verës, ndërsa aroma e saj për shumë njerëz është sinonim i pushimeve dhe Mesdheut. Pikërisht për shkak të aromës intensive, shpesh rekomandohet si bimë që ia vlen të mbahet pranë vendeve ku qëndroni gjatë verës.

Në të njëjtën kohë, livanda është një nga bimët më të njohura mjaltore. Lulet e saj vjollcë tërheqin bletët, bletëzat dhe fluturat gjatë gjithë periudhës së lulëzimit, duke e bërë oborrin tuaj më tërheqës për pjalmuesit e dobishëm.

Ku është më mirë t’i vendosni?

Nëse dëshironi ta shfrytëzoni aromën e tyre, mos i vendosni të gjitha vazot në një cep. Është shumë më mirë t’i shpërndani rreth vendit ku qëndroni më shpesh.

Mentën vendoseni pranë gardhit ose në skajin e tarracës, borzilokun në dritare ose afër tavolinës, ndërsa livandën përgjatë shtegut, pranë hyrjes ose në një vazo më të madhe, në një vend me diell.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se asnjë bimë nuk do të ndihmojë nëse në tavolinë lini lëngje të hapura, fruta të tejpjekura ose ushqime të tjera të ëmbla që i tërheqin grerëzat. Po ashtu, nëse vëreni një fole grerëzash apo grerëzash të mëdha pranë shtëpisë, mos tentoni ta largoni vetë, por drejtojuni shërbimeve profesionale.

Në fund, këto bimë ndoshta nuk do ta pengojnë plotësisht ndonjë grerëz të kalojë nëpër oborr, por do ta zbukurojnë hapësirën, do të përhapin aromë të këndshme dhe, çka është veçanërisht e rëndësishme, do t’u ndihmojnë bletëve, të cilat kanë rol të pazëvendësueshëm në natyrë. /Telegrafi/