Please enter at least 3 characters.

Marilyn Manson ngjall zemërim me praninë e tij në shfaqjen lamtumirëse të Ozzy-t

Marilyn Manson është përballur sërish me polemika pas shfaqjes së tij në koncertin e lamtumirës së grupit legjendar Black Sabbath në Birmingham, ku u transmetua një video-mesazh për Ozzy Osbourne.

Ylli 56-vjeçar e quajti një “nder të madh” që mund të merrte pjesë në formë virtuale në këtë ngjarje dhe shprehu dashurinë për mikun e tij të vjetër.

Por, prania e tij shkaktoi zemërim të menjëhershëm tek një pjesë e publikut dhe përdorues të rrjeteve sociale, duke sjellë në vëmendje të kaluarën problematike të këngëtarit, shkruan DailyMail.

Ky reagim vjen vetëm disa javë pasi koncerti i Manson në Brighton, i planifikuar për në tetor, u anulua për shkak të presionit nga aktivistë dhe organizata të të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Deputetja britanike Sian Berry kishte kërkuar publikisht anulimin e shfaqjes, duke përmendur ndikimin e mundshëm tek komuniteti dhe të mbijetuarit e abuzimit.

Këshilli i qytetit reagoi me kujdes, duke theksuar përgjegjësinë e tij për të mbrojtur qytetarët nga viktimizimi dhe diskriminimi.

Marilyn Manson është akuzuar nga më shumë se një duzinë grash për përdhunim, abuzim seksual dhe dhunë psikologjike, përfshirë aktoren Evan Rachel Wood.

Megjithëse ai ka mohuar të gjitha akuzat dhe nuk është shpallur fajtor nga ndonjë gjykatë, reputacioni i tij është dëmtuar rëndë.

Në janar, Prokuroria e Los Angelesit njoftoi se nuk do të ngrejë padi ndaj tij për mungesë provash të mjaftueshme, por theksoi guximin e grave që dolën hapur për të treguar përvojat e tyre.

Pavarësisht rezultatit ligjor, shfaqja e Manson në koncertin e Black Sabbath është parë si provokuese nga shumë fansa, që e konsiderojnë të papërshtatshme praninë e tij në një ngjarje me profil kaq të lartë.

Turneu i tij në Mbretërinë e Bashkuar do të nisë më 31 tetor në Bournemouth, ndërkohë që debatet për moralin dhe kufijtë e tolerancës në art vazhdojnë të nxehen. /Telegrafi/