Please enter at least 3 characters.

Manchester United rivalizon Arsenalin për Gyokeres, hap zyrtarisht bisedimet me Sporting Lisbonën

Manchester United ka hapur zyrtarisht negociatat me Sporting CP për transferimin e sulmuesit suedez, Viktor Gyokeres, sipas raportimeve nga SIC dhe të konfirmuara nga Record.

Bisedimet mes dy klubeve kanë shënuar përparim, me “Djajtë e Kuq” që thuhet se janë të gatshëm të përmbushin kërkesat financiare të Sportingut.

Oferta në tryezë përfshin një marrëveshje prej mbi 60 milionë euro, plus 10 milionë euro të tjera në formë bonusesh të lidhura me performancën, të njëjtat shifra që më parë u përmendën në bisedimet me Arsenalin.

Megjithatë, marrëveshja aktualisht është në një ngërç për shkak të vetë lojtarit. Gyokeres nuk është i bindur për një transferim në Old Trafford.

Reprezentuesi i Suedisë ka qenë i qartë në qëndrimin e tij: dëshiron vetëm t’i bashkohet Arsenalit, ndërsa nuk ka shprehur interes për një kalim te Manchester United.

Nga ana tjetër, Sporting është i hapur për të negociuar me United, por gjithçka do të varet nga nëse lojtari ndryshon qëndrim në ditët në vijim.

Nëse Gyokeres mbetet i vendosur për Arsenalin, një transferim te United nuk ka gjasa të ndodhë, pavarësisht gatishmërisë së klubeve për të arritur marrëveshje. /Telegrafi/