Manchester United ka në listë tre sulmues si befasi - kjo pasi Rasmus Hojlund shtyu drejt një transferimi gjatë verës
Manchester United pritet të bëjë ndryshime të thella në repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar veror. Klubi po planifikon një rindërtim të sulmit nën drejtimin e trajnerit të ri, Ruben Amorim, dhe është i hapur për shitjen e disa lojtarëve aktualë.
Një nga emrat më të diskutuar është Rasmus Højlund. Sulmuesi danez, i transferuar nga Atalanta në verën e vitit 2023 për rreth 75 milionë euro, ka pasur një sezon zhgënjyes – me vetëm 10 gola në 52 paraqitje. Edhe pse lojtari 22-vjeçar dëshiron të qëndrojë në Manchester dhe të luftojë për vendin e tij, drejtuesit e klubit janë të hapur për shitjen e tij nëse arrijnë të përfitojnë një shumë të konsiderueshme. Interi shihet si një destinacion i mundshëm.
Ndërkohë, drejtuesit e Man United kanë filluar të shqyrtojnë alternativa të ndryshme, përfshirë edhe emra të lirë në treg. Mediat britanike raportojnë se Jamie Vardy, Dominic Calvert-Lewin dhe Callum Wilson janë ofruar si opsione të mundshme.
Treshja përfaqëson një përvojë të madhe në Ligën Premier, me mbi 290 gola të shënuar në 820 paraqitje të kombinuara.
Si qëndron situata e kësaj treshe
Sipas The Athletic, këta emra do të konsiderohen si alternativa rezervë në fund të afatiti kalimtar, nëse klubit nuk i realizohen objektivat kryesorë. Njëri prej tyre është Victor Osimhen, por sulmuesi nigerian i Napolit lidhet më shumë me një transferim drejt Al Hilal apo rikthim te Galatasaray, ku ishte i huazuar sezonin e kaluar.
Ndërkohë, një transferim i Calvert-Lewin është thuajse i përjashtuar, pasi kërkesat e tij të larta për pagë janë konsideruar të paarsyeshme nga drejtuesit e Man United. Ish-sulmuesi i Evertonit ka kërkuar rritje të ndjeshme nga paga prej rreth 117 mijë euro në javë që merrte në Liverpool.
Callum Wilson, i cili u largua zyrtarisht nga Newcastle pas përfundimit të kontratës, ka tërhequr interes nga Leeds United, që është kthyer këtë sezon në Ligën Premier.
Ndërsa Jamie Vardy, tashmë 38 vjeç, shihet si opsioni më pak i mundshëm për t’u transferuar në “Old Trafford”.
Lëvizjet e reja dhe shitjet e planifikuara
Manchester United ka qenë aktiv duke siguruar tashmë shërbimet e Matheus Cunha nga Wolves për rreth 73 milionë euro. Po ashtu, janë në fazën finale të një marrëveshjeje për Bryan Mbeumo të Brentfordit – një tjetër element për repartin sulmues.
Në të njëjtën kohë, klubi është i hapur për të shitur disa emra të njohur. Marcus Rashford, Alejandro Garnacho, Antony dhe Tyrell Malacia janë në listën e lojtarëve për të cilët United do të dëgjojë oferta. /Telegrafi/


