Malisheva e nis sezonin me ‘festival golash’ në Vushtrri
Malisheva e ka nisur në mënyrë spektakolare sezonin e ri në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke mposhtur bindshëm Vushtrrinë me rezultat 6-1 në udhëtim në kuadër të javës së parë të edicionit 2026/27.
Skuadra malishevase e zhbllokoi ndeshjen që në minutën e gjashtë, kur Krenar Dulaj realizoi për 1-0.
Malisheva vazhdoi dominimin dhe në minutën e 32-të shënoi edhe golin e dytë përmes Kreshnik Ukës. Fillimisht, goli u anulua për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit nga VAR-i, vendimi u ndryshua dhe goli u pranua.
Në pjesën e dytë, Malisheva vazhdoi festivalin e golave. Dreni Kryeziu realizoi për 3-0 në minutën e 52-të, ndërsa Kreshnik Uka shënoi golin e dytë personal në minutën e 64-t për 4-0.
Vetëm shtatë minuta më vonë, në minutën e 71-të, Laurent Xhylani e çoi rezultatin në 5-0, duke e bërë fitoren e Malishevës edhe më bindëse.
Por “festivalit” nuk i kishte ardhur fundi. Mark Bushaj realizoi golin e gjashtë për Malishevën, duke e çuar rezultatin në 6-0 dhe duke vulosur një prej fitoreve më bindëse të javës së parë.
Në minutën e 86-të, vendasit ia dolën të realizojnë golin e nderit për epilogun përfundimtar 6-1.
Me këtë paraqitje, Malisheva e nis edicionin 2026/27 me një sinjal të fuqishëm, ndërsa Vushtrria do të duhet të reagojë në ndeshjet e ardhshme./Telegrafi/


