“Letra e Qëllimit” me Bankën e Italisë për projektin e pagesave të shpejta ‘TIPS Clone’, BQK njofton për takimin e guvernatorit Ismaili
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Letrës së Qëllimit për projektin e pagesave të shpejta (Instant Payment) - TIPS Clone, e organizuar në kuadër të Takimeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB).
Në njoftim thuhet se ceremonia shënoi nënshkrimin e Letrës së Qëllimit në kuadër të projektit rajonal për zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta, e cila u nënshkrua ndërmjet Bankës së Italisë, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe bankave qendrore të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa nënshkrimi i kësaj Letre të Qëllimit është vazhdimësi e marrëveshjes së nënshkruar në muajin janar të këtij viti por tani duke përfshirë edhe Bankën Qendrore të Maqedonisë së Veriut.
Banka e Italisë, me aprovimin e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, si zhvilluese dhe operatore e sistemit të pagesave të shpejta të Eurosistemit (TIPS), po ndërton sistemin TIPS Clone për të ofruar këtë infrastrukturë edhe për disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Banka Qendrore e Kosovës njofton tutje se ky projekt përfaqëson iniciativën më të rëndësishme infrastrukturore dhe strategjike të BQK-së, duke kontribuar në realizimin e objektivave dhe Planit Strategjik të institucionit.
“Ky partneritet strategjik me Bankën e Italisë shënon një moment historik për Kosovën, duke i mundësuar të përfitojë nga ekspertiza profesionale dhe teknike dhe nga përdorimi i një sistemi të avancuar që aktualisht operohet nga Eurosistemi. Përfitimet e tjera pritet të materializohen me anëtarësimin e Kosovës në SEPA”, thuhet tutje.
Zhvillimi i sistemit nga ekipi profesionist i Bankës së Italisë konsiderohet një faktor kyç për suksesin e projektit, veçanërisht në një kontekst ku zhvillimet teknologjike dhe aspekti gjeopolitik janë me rëndësi të veçantë. /Telegrafi/


