Lajmi që tronditi Argjentinën pas Botërorit: Ylli i kombëtares luajti tri ndeshje me brinjë të thyer
Rrugëtimi i Argjentinës në Kupën e Botës 2026 përfundoi në mënyrën më të dhimbshme të mundshme, me humbjen në finale ndaj Spanjës, por kjo nuk e zbeh aspak paraqitjen e jashtëzakonshme të disa prej lojtarëve të saj.
Njëri prej tyre ishte Leandro Paredes, i cili raportohet se ka luajtur pjesën më të rëndësishme të turneut me një dëmtim serioz.
Sipas gazetarit të ESPN, Martin Arevalo, mesfushori argjentinas ka zhvilluar tri ndeshjet e fundit të Botërorit me një brinjë të thyer.
Raportohet se lajmi nuk u bë publik gjatë turneut, pasi stafi i Argjentinës kishte frikë se kundërshtarët mund ta shfrytëzonin këtë dobësi fizike ndaj tij.
Tashmë, pas përfundimit të Botërorit, Paredes do të fokusohet në rikuperimin e plotë.
Mesfushori e nisi turneun si rezervë, por pas nevojës së trajnerit për më shumë ekuilibër në mesfushë, ai fitoi vendin në formacionin titullar.
Dhe Paredes e shpërbleu besimin.
Ai u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Argjentinës, duke sjellë qetësi, agresivitet dhe kontroll në mesfushë. E vetmja njollë në paraqitjen e tij ishte përfshirja në përplasjet pas finales së Botërorit, rast që aktualisht po hetohet nga FIFA.
Edhe pse raportimet thonë se kishte momente kur Paredes kishte vështirësi me frymëmarrjen për shkak të dëmtimit, kjo nuk u vërejt aspak në fushë.
Ai ishte një nga lojtarët më të mirë të "Albicelestes".
Paredes luajti 475 minuta në tetë ndeshje, mori dy kartonë të verdhë dhe kompletoi 477 nga 509 pasime, me një saktësi prej 93 për qind.
Ai krijoi katër raste për gol, fitoi tetë nga nëntë ndërhyrjet e tentuara, regjistroi tetë topa të rikuperuar me ndërprerje dhe bëri 13 largime të topit nga zona e rrezikshme./Telegrafi/


