Please enter at least 3 characters.

Kurti viziton festivalin “Hardh Fest” në Rahovec

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka vizituar mbrëmë festivalin tradicional “Hardh Fest” në Komunën e Rahovecit.

Gjatë vizitës, ata u shoqëruan edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe bashkëpunëtorë të tjerë institucionalë ku vizituan stadet e prodhuesve vendorë të verës dhe produkteve të tjera të rrushit, ku kryeministri i falënderoi për angazhimin dhe cilësinë e lartë të produkteve të tyre.

Kurti përgëzoi organizatorët për suksesin e festivalit, duke e cilësuar “Hardh Fest”-in si një ngjarje të rëndësishme që promovon trashëgiminë bujqësore, turizmin dhe kulturën vendore.

Edicioni i sivjetmë i festivalit mbahet nën moton “Për Kokërr t’Qefit”, dhe përveç promovimit të produkteve të rrushit, përfshin një agjendë të pasur me aktivitete sociale, kulturore dhe artistike.

Pjesë e programit janë edhe koncertet muzikore me artistë të njohur nga vendi dhe rajoni.

Festivali “Hardh Fest” tashmë është shndërruar në një traditë të përvitshme që mbledh mijëra vizitorë nga e gjithë Kosova dhe më gjerë, duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe në afirmimin e prodhimeve vendore. /Telegrafi/