Please enter at least 3 characters.

Kurti pret ish-ministrin gjerman të Mbrojtjes: Kontributi juaj në Kosovë ju vendos në anën e drejtë të historisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, i cili këtë detyrë e ka ushtruar nga viti 1998 deri më 2002.

Kurti e ka falënderuar Scharpingun për rolin dhe kontributin e tij në koordinimin e veprimeve politike e ushtarake të Gjermanisë me shtetet e tjera të NATO-s gjatë ndërhyrjes së vitit 1999 në Kosovë.

Sipas Kurtit, Scharping i qëndroi pranë popullit shqiptar të Kosovës në një prej periudhave më të vështira.

“Denoncimi i planit ‘Patkoi’, sikurse vrasjeve, masakrave, spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë, krahas këmbëngulësisë në argumentimin për ndërhyrjen e NATO-s, janë qëndrime që ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, e vendosin në anën e drejtë të historisë përgjithmonë”, ka deklaruar Kurti.

Gjatë takimit është përmendur edhe libri i Scharpingut, “Wir dürfen nicht wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa”, në të cilin ish-ministri gjerman dokumenton, përmes kujtimeve dhe shënimeve të tij, vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe krimet e kryera nga regjimi i atëhershëm i Slobodan Millosheviqit.